Thaçi në Kroaci, Serbia bojkoton samitin

Serbia sërish do të bojkotojë një takim ndërkombëtar, kjo për shkak të prezencës së Kosovës. Kësaj radhe, prania e kryeministrit Hashim Thaçi në samitin tradicional në Kroaci, që mbahet në Dubrovnik, ka bërë që Beogradi të refuzojë pjesëmarrjen në këtë tryezë, ku mblidhen shefat e shteteve dhe të qeverive të rajonit të Evropës Juglindore.
Sipas njoftimeve, tema e samitit të sivjetëm do të jetë rruga 20-vjeçare zhvillimore e Kroacisë, si dhe perspektivat për të ardhmen të këtij shteti dhe rajonit ballkanik gjatë 10-vjeçarit të ardhshëm.
Drejtuesit e samitit janë presidenti kroat, Ivo Josipoviq, kryeministrja Jadranka Kosor, dhe kryetari i Kuvendit kroat, Luka Bebiq, ndërsa përveç kryeministrit Thaçi, në takimin që ka nisur të premten dhe përmbyllet të shtunën, janë paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe kryeministri belg, Yves Letern, kryeministri slloven Borut Pahor, ai bullgar, Bojko Borisov, maqedonas, Nikolla Gruevski, si dhe malazes, Igor Lukshiq.
Serbia edhe vitin e kaluar ka bojkotuar samitin kroat, për shkak të prezencës së kosovare.