E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga injoron mediat vendore

Nuk flet për mediat në Kosovë, por ndryshe vepron me të huajat. Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, nuk mbahet mend të ketë dhënë ndonjë intervistë për ndonjë televizion në Kosovë, apo agjenci lajmesh, ku do fliste për çështje që janë në kompetencë të saj apo për tema të rëndësishme, si çështja e dialogut, për të cilin, publiku ka interes të dëgjojë qëndrimet e presidencës. Ajo edhe në ato të pakta intervista, dhe shumë të shkurtra, gazetarëve, paraprakisht, u ka kërkuar pyetjet.

Gazetarët dhe analistët vlerësojnë se ajo, përveç që është e pasigurt në vetvete, dozën e frikës nga mediet ia kanë shtuar së tepërmi këshilltarët e saj, ndërkohë që edhe ky pak komunikim i saj me publikun lë shumë për të dëshiruar.

Edhe pse njëri nga këshilltarët e presidentes, pohon se refuzimi i medieve të vendit, ndodh për shkak të agjendës së ngjeshur të presidentes, faktet e mëposhtme flasin diçka tjetër.

Në Presidencë thuajse të gjitha mediat tashmë kanë dërguar kërkesat e tyre për të zhvilluar intervistë me të, por nuk kanë marrë ende përgjigje.

Vetëm KosovaPress ka dy kërkesa për intervistë që janë dorëzuar në Presidencë, njërën ka disa muaj, e tjetra është dërguar së fundmi, por që ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje se kurrë mund të zhvillohen ato.

Si KosovaPress, ka edhe media të tjera që nuk kanë arritur ta kenë në intervistë presidenten e shtetit.

Redaktori i lajmeve në KlanKosova, Arsim Lani pohon se që kur Jahjaga është bërë presidente ka pasur një qasje refuzuese dhe është krijuar një hendek mes mediave dhe asaj.

Sipas tij, kur mediat dhe qytetarët duan të din opinionin e saj në lidhje me çështjet që i ka në kompetencë, duhet të presin që ajo të dal jashtë vendit dhe të jap atje ndonjë intervistë.

“Kam përshtypjen se këshilltarët janë ata të cilët e kanë frikësuar Atifete Jahjagën nga mediat, për faktin se ajo e ka një frikë, nëse mund të them, nga gazetarët në Kosovë, dhe por ata ajo detyrohet që të jap intervista jashtë, qoftë edhe në Shqipëri apo edhe më larg. Mënyrë si i kemi parë ato intervista, kam përshtypjen se ato intervista në një farë forme fillimisht përgatiten dhe bëhet një lloj marrëveshje se si do të zhvillohet ajo intervistë”, ka thënë ai.

Lani thotë se këshilltarët e saj, si argument, kanë që Presidentja nuk bënë të përfshihet në çdo debat politikë, por që, sipas tij, askush nuk e ka atë qëllim.

Vetë këshilltari i Presidentes, Arbër Vllahiu i kontaktuar nga KosovaPress ka thënë se meqë po pyesim për këtë temë, do e shtyjë edhe më tutje kërkesën e KosovaPress-it për të bërë intervistë me Presidenten.

Ai ka thënë t’ia dërgojmë pyetjen me e-mail, për të na shpjeguar këtë çështje, por që nga mëngjesi ende nuk është përgjigjur.

E në anën tjetër, publicisti, Imer Mushkolaj ka pohuar se zgjedhje e Jahjagës në postin e presidentes i ka shkaktuar asaj shok kulturor dhe social, sepse nuk ka qenë e lehtë që nga pozita e mëparshme të bëhet presidente.

Mushkolaj thotë se ajo jep intervista për vendet e tjera, sepse ata nuk e pyesin për çështjet e Kosovës që në thelb, por vetëm për qëndrimin e saj si një femre me post kaq të lartë në një vend si Kosova.

Mushkolaj thotë se komunikimi i saj në çfarëdo mënyre që e bënë, lë shumë për të dëshiruar.

“Presidentja Jahjaga lë shumë për të dëshiruar në komunikimin e saj publik. Lë shumë për të dëshiruar edhe në konferencat apo prononcimet shumë të rralla për gazetarët, ndërkaq, mbase e ka më të lehtë që të flas në gjuhën angleze për mediat e huaja, të cilave, prapë po e them, u intereson më shumë si një person që mban një post shumë të lartë në një shtet si Kosova, dhe intervista është më tepër intervista kurtuazie”, ka thënë ai.

Sipas tij, është çështje pasigurie që ajo ka në vete, si dhe e konsideron gabim të madh dhënien e intervistave për mediet jashtë vendit para se ta bëjë tek mediat në vend.

Ai thotë se këshilltarët ia dinë kapacitetet, andaj vazhdimisht zgjedhin nëse mund t’i bëjnë gazetarët pyetjet ose jo.

“Gjithçka është e koordinuar edhe me këshilltarët e saj. Shpesh herë na ka ndodhur të shohim se këshilltarët zgjedhin a duhet t’i bëjë pyetje gazetari apo nuk duhet t’i bëjë pyetje, por ata e njohin shumë mirë presidenten, duke e kuptuar dhe duke e ditur dhe ajo do të përgjigjet në mënyrën jo të duhur apo nuk do të përgjigjet ashtu siç do të duhej përgjigjur, atëherë marrim kësi veprime që janë pengesë në punën e gazetarëve”, ka thënë ai.

Nëse kemi parasysh intervistat e kohëve të fundit, presidentja Atifete Jahjaga, i ka dhënë për disa media jashtë Kosovës, si të fundit e kishte për një televizion në Shqipëri, ku del që ajo nuk e ka edhe aq agjendën ngjeshur siç pretendojnë këshilltarët e saj. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›