E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet Opozita

(E plotësuar) Me shumicë votash, deputetët kanë rrëzuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për pezullimin e procesit të privatizimit.

Ky mocion fillimisht u mbështet nga LDK dhe AAK, por ndërkohë partia e Ramush Haradinajt ndërroi mendje.

“Me 53 vota Kundër, 45 Për dhe 9 Abstenime nuk miratohet mocioni i Vetëvendosjes”, ka thënë Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

“Me kaq përmbyllet seanca e sotshme”, ka shtuar ai.

Deputetët e PDK’së që kanë votuar pro mocionit të Vetëvendosjes janë: Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Justina Pula, ndërsa ka abstenuar Hydajet Hyseni dhe Flora Brovina.

Edhe Amir Ahmeti dhe Muhamet Mustafa të KKR’së kanë votuar në kundërshtim me koalicionin qeveritar dhe kanë mbështetur opozitën.

Ndryshe, AAK është ndarë në dysh kur ka votuar për mocionin e Vetëvendosjes. Blerim Shala, Burim Ramadani, Ardian Gjini, Kymete Bajraktari, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu dhe Bali Muharremaj kanë abstenuar.

Ndërsa, Daut Haradinaj, Ahmet Isufi dhe Donika Kadaj kanë votuar pro mocionit të opozitës.

Në fillim të seancës deputetët opozitarë kanë kontestuar ligjërisht mundësinë që PDK të paraqitet me Rezolutë të saj, përmes të cilës kërkohet vazhdimi i procesit të privatizimit. Në fund është vendosur që të hedhet për votim vetëm mocioni i Vetëvendosjes.

Kuvendi sot voton mocionin dhe rezolutën për privatizim

Debati për privatizimin e ndërmarrjeve publike pritet të përfundojë sot, me votimin e mocionit të partive opozitare ose rezolutën e pozitës. Si mocioni i opozitës, ashtu edhe rezoluta e pozitës, janë për vazhdimin e privatizimit, megjithatë sipas tyre dallon mënyra e procesit të privatizimit.

Përfaqësuesit e PDK-së, thonë se sot do të hidhen në votim dy dokumente, njëri që kërkon ndërprerjen e procesit të privatizimit dhe tjetri për vazhdimin e këtij procesi.

Por, ata të LDK-së, thonë se mocioni i subjekteve opozitare nuk është kundër procesit të privatizimit, por kërkon transparencë dhe llogaridhënie.

Kurse, në AAK-ja edhe pse kanë nënshkruar mocionin, thonë se do të kërkojnë një mes, ndërmjet rezolutës dhe mocionit.

Kurse pas votimit votimit të këtyre dy dokumenteve, seanca vazhdon me interpelancën e Ministrit Enver Hoxhaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovë. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›