E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga kërkon fuqizim të agjendës evropiane

Një ditë pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, liderët më të lartë të vendit kanë vlerësuar se Republika e Kosovës aspiron të jetë anëtare me të drejta të plotë në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar se për këtë proces të integrimit ekziston edhe konsensusi i spektrit politik në vend. Këto konstatime kanë dalë në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, i cili udhëhiqet nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Por sikurse edhe më parë, nuk ka marrë pjesë partia opozitare Vetëvendosje, derisa prezent ka qenë edhe përfaqësuesi i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar.

Me këtë rast, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka thënë se gjatë muajit të kaluar është mirëpritur në Kosovë Misioni Vlerësues i Komisionit Evropian për Studimin e Fizibilitetit, anëtarët e të cilët kanë shfaqur përshtypje pozitive për zhvillimet në vendin tonë. Misioni Vlerësues ka qenë hap i radhës pas Pyetësorit për Studim të Fizibilitetit, ku të gjitha institucionet e vendit të nivelit qendror dhe lokal kanë kontribuar në përgatitjen e përgjigjeve.

Ajo ka thënë se me procesin e liberalizimit të vizave të gjithë qytetarët e Republikës se Kosovës do të kenë mundësi të lëvizin pa pengesa ne vendet e Bashkimit Evropian, duke shtuar se vendi ynë duhet të punojë edhe më shumë në arritjen e sukseseve duke thelluar reformat në forcimin e institucioneve demokratike, në sundimin e rendit dhe ligjit si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një prej fushave më sfiduese dhe të menjëhershme, presidentja ka përmendur reformën e administratës publike, sundimin e rendit dhe ligjit, reformën zgjedhore dhe integrimin e plotë të komuniteteve, fusha këto të rëndësishme për të pasqyruar progres në agjendën evropiane.

Për më tepër, ajo ka shtuar se momentumi në avancimin e agjendës evropiane të vendit duhet të mbahet. Sipas saj, në agjendën e integrimeve evropiane pritet po ashtu një vlerësim pozitiv i Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në vjeshtë të këtij viti.

E para e vendit ka thënë se Kosova aspiron me të drejta të plota në BE dhe për këtë viti 2012 shënon progresin në agjendën evropiane të Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës aspiron të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Kjo varet nga të gjithë ne: institucionet, partitë politike, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe ai i biznesit, dhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Bazuar në përvojat e vendeve të cilat kanë kaluar nëpër këtë proces, konsensusi gjithëpërfshirës në përmbushjen e agjendës evropiane është domethënës, dhe ai do të fuqizohet në të ardhmen. Viti 2012 shënon progresin në agjendën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të konkretizimit të perspektivës evropiane të vendit”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Gjithashtu ajo nuk ka lënë pa përmendur vendimin e djeshëm të Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili konstatoi se janë plotësuar të gjitha kushtet paraprake që të hiqet pavarësia e mbikëqyrur.

“Përligjja e plotë e këtij procesi në muajin shtator e rrit procesin e njohjeve, mundëson që Kosova çdo kund dhe në çdo rast të prezantohet dhe përfaqësohet vet dhe, që është më e rëndësishmja, Republika e Kosovës ndjek agjendën e rregullt të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian me gjithë faktin që ende nuk jemi pranuar nga pesë vende anëtare”, ka thënë presidentja.

Nga ana tjetër, kreu i legjislativit Jakup Krasniqi ka kërkuar një angazhim më të madh të institucioneve në vendit drejt procesit të integrimit dhe perspektivës më të mirë të qytetarëve të vendit.

“Ne duhet të punojmë që Kosova të përmbush detyrat dhe obligimet e në mënyrë të veçantë institucionet e Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, por edhe institucionet e tjera të pavarura në Kosovë do të thoja në këtë rast edhe sistemi i drejtësisë pa e mohuar punën e institucioneve tjera kërkohet nga këto institucione një angazhim që vërtet ta ndryshojmë vërtet kualitetin e jetës dhe kualitetin e funksionimit të shtetit për hir të qytetarëve tanë dhe kur këtë e bëjmë për qytetarët tanë sigurisht do t’i kënaqim edhe kriteret e Bashkimit Evropian”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu, ai ka thënë se Kuvendi ka përmbushur të gjitha obligimet, duke përfshirë edhe ligjet që kanë të bëjnë me heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë, duke shprehur bindjen se parlamenti në fillim të shtatorit do t’i miratojë edhe ndryshimet kushtetuese që janë të parapara për këtë proces.

Ndërkaq kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i djeshëm ishte historik dhe fuqizon më shumë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Ai ka vlerësuar se brenda një periudhe të shkurtër bashkërisht është arritur të ndërtohet një shtet i cili vlerësohet lart ndërkombëtarisht sa i përket të drejtave më afirmative të komuniteteve dhe aftësisë për të arritur pavarësinë e plotë në mënyrë meritore.

Për këtë sukses, ai ka falënderuar gjithë spektrin politik që ka përkrahur dhe ka marrë përgjegjësinë në këtë proces dhe ka treguar se si klasa politike e bashkuar në Kosovë mund të punoj për interesin e përgjithshëm të vendit.

“Kultivimi i këtij uniteti politik që ekziston sot në Kosovë sa i përket procesit të integrimit evropian është njëra prej këtyre çështjeve madhore dhe strategjike, pra përmes unitetit politik priten rezultate konkrete në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian më e lehtë dhe më e shkurt. Mbajtja e takimit të dytë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian është një shenjë shumë pozitive sa i përket kohezionit politik dhe mesazh i qartë që procesi i integrimit gëzon përkrahje të fuqishme në Kosovë”, ka theksuar Thaçi.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja ka përkrahur dhe do të përkrah të gjitha ato aktivitet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian.

“Lidhja Demokratike e Kosovës si partia më e madhe opozitare përkrah aktivitetet të cilat shërbejnë që Kosova të mbaj agjendën e saj evropiane dhe po ashtu ne do të angazhohemi për forcimin e demokracisë në Kosovë për sundimin e ligjit, për avancimin e drejtave të njeriut, për pakicat dhe për bashkëpunim rajonal”, ka deklaruar Mustafa.

Për më tepër, ai ka thënë se faktor shumë i rëndësishëm në avancimin evropian të Kosovë është zhvillimi ekonomik dhe social. Sipas tij, kjo do të stabilizonte migrimet e brendshme në Kosovë, do të stabilizonte edhe tendencat për migrim në vendet evropiane dhe do të krijonte kushte më të mira riintegrim të njerëzve tanë që kanë shkuar në vendet perëndimore./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›