E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: Kosova sot ndihet Amerikë

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga duke uruar qytetarët amerikan për 236 vjetorin e pavarësisë se SHBA-së, ka thënë se po iu bashkëngjitën festës së tyre, jo për shkak të prejardhjes por për ta ndjekur një ëndërr të përbashkët.

Në një fjalë rasti në Ambasadën Amerikane në Kosovë Jahjaga ka thënë se sot ju bashkohen qindra milionë amerikanëve, qytetarëve të botës së lirë, që po kremtojnë 236 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tokës së mundësive të mëdha.

“Po i bashkohemi në festë qytetarëve të këtij shteti, paraardhësit e të cilit krijuan një atdhe ku qytetarët zgjodhën të lidhin fatin e tyre me njëri tjetrin. Jo për shkak të prejardhjes së tyre, por për të ndjekur një ëndërr të përbashkët. Ëndrrën e një shembulli të demokracisë ku do të jetojnë të lirë dhe ku do të jenë pjesëmarrës aktivë në drejtimet që merr vendi i tyre”, ka thënë Jahjaga.

Me tutje ajo tha se për çdo vit, në këtë ditë, përkujtohen për madhështinë e shoqërisë amerikane dhe atë që kjo shoqëri, së bashku me idealet dhe parimet mbi të cilat është krijuar, paraqesin për botën në të cilën jetojmë.

Jahjaga ka vlerësuar se në këta, gati, dy shekuj e gjysmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë demokraci e vërtetuar që luajnë rol të fuqishëm dhe thelbësor në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Kjo demokraci sot kultivon dhe ruan vlerat më të rëndësishme të shoqërisë amerikane – lirinë për të zgjedhur, lirinë e shprehjes, lirinë e veprimit”, u shpreh ajo.

“Si një vend i ri, që ka bërë hapat e parë për të krijuar një shtet të së drejtës të bazuar në parimin qytetar, tashmë e kemi të qartë mundin dhe energjinë që nevojitet për të mobilizuar të gjitha segmentet e shoqërisë, që në mënyrë të bashkërenduar të udhëhiqen nga këto parime. Është një sfidë e pareshtur që kërkon përkushtim dhe devotshmëri dhe besim se liria nuk është zgjedhje, por e drejtë e garantuar që duhet të përjetohet nga të gjithë”, ka vazhduar Jahjaga.

Presidentja e vendit, me tutje shtoj se këtë ideal amerikan se liria është e drejtë askush nuk e ka më të qartë se qytetarët e Kosovës, të cilët në momentet e tyre më të vështira të historisë, atëherë kur edhe qenia e tyre ishte vënë në pikëpyetje, patën pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin e popullit amerikan, për t’i shpëtuar dhe për t’i ndihmuar të gjejnë paqen.

“I nderuar Ambasador Dell, dua t’iu falënderoj ju personalisht për të gjitha që bëtë për ne. Gjatë mandatit tuaj keni ofruar mbështetje të përhershme dhe keni dhëne këshilla të mençura që kanë ndihmuar Kosovën të ecë përpara. Kjo nuk është hera e parë qe ju shërbeni në Kosovë dhe urojmë që kjo të mos jetë as hera e fundit. Kosova është dhe do të mbetet shtëpia juaj”, ka thënë Jahjaga.

Me tutja jahjaga në emër të qytetarëve të Kosovës iu ka shprehur admirimin për suksesin e ndërtimit të një shteti shembull në botë.

“Të festojmë bashkërisht suksesin tonë të përbashkët në Kosovë dhe miqësinë e përjetshme. Amerika është një vend që unë dhe qytetarët e Kosovës do ta kemi gjithmonë shumë, shumë për zemër”, përfundoj Jahjaga.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›