E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi përgëzon Obamën për Ditën e Pavarësisë

Thaçi përgëzon Obamën dhe popullin amerikan me rastin e 236 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon Presidentin e SHBA-së, Barak Obama dhe popullin amerikan me rastin e 236 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në tekstin e mesazhit thuhet:

I nderuar Shkëlqesi, President Obama,

Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, të Ju uroj 4 Korrikun, 236 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo datë historike ka bërë që Shtetet e Bashkuar të Amerikës të fillojnë një perspektivë të jashtëzakonshme të lirisë, demokracisë, zhvillimit kulturor e teknologjik në përmasa globale.

Dita e Pavarësisë së SHBA na kujton historinë e pasur të vendit tuaj që u bë simbol i lirisë së individit, i lulëzimit të mirëqenies dhe i ndikimit të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Falë kapaciteteve të pashtershme të SHBA-ve, sot bota gëzon siguri globale, qarkullim të vlerave, ideve, mallrave dhe të mirave të tjera teknologjike dhe shkencore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo periudhë historike kanë mbrojtur popujt e vegjël, popujt liridashës, në mesin e të cilëve edhe popullin e Kosovës, duke e ndihmuar në realizimin e ëndrrës së lirisë.

Dy ditë para përvjetorit të 236-të të SHBA-së, Kosova me sukses e mbylli kapitullin e Mbikëqyrjes së Pavarësisë, duke shënuar edhe një hap në drejtim të konsolidimit të shtetit t tonë të lirë, sovran dhe demokratik.

Shembulli i fuqisë, parimeve dhe rrezatimit global të SHBA-ve është frymëzues dhe udhërrëfyes edhe për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, që me vendosmëri janë orientuar drejt integrimeve euroatlantike.

Duke uruar lulëzimin edhe më të madh të vendit Tuaj dhe të popullit amerikan, shpreh edhe një herë konsideratën e lartë për Ju z. President, me premtimin se Kosova dhe qytetarët e saj kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndër miqtë më të sigurt dhe të përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›