Jahjaga kërkon mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri

Sipas njoftimit nga Presidenca, dy zyrtarët kanë diskutuar perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e dialogut për liberalizimin e vizave, si dhe kërkesën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Presidentja Jahjaga falënderoi Fule për nisjen e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, duke e çmuar këtë si një arritje të përbashkët që sinjalizon përkushtimin evropian për rrugën e qartë të Kosovës drejt integrimit dhe perspektivë të qartë për qytetarët e Kosovës.
Njëkohësisht, presidentja Jahjaga përsëriti përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të adresuar problemet dhe gjetur zgjidhje që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Në takim, presidentja Jahjaga theksoi se zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat veriore të Kosovës qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit. Presidentja kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legal dhe legjitim që do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës.
Ky takim u mbajt në kuadër të Konferencës së 48-të të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, që shënon mbledhjen më të madhe për çështje të politikave të sigurisë në Evropë dhe që ka tubuar kësaj radhe 70 delegacione qeveritare nga mbarë bota, liderë shtetesh dhe ekspertë të fushës së sigurisë.