E Shtunë, 31 Tetor 2026

E quan të birin tradhtar

Babai i kritikut të vrarë të Kremlinit, Alexander Litvinenko, i tërhoqi pohimet e tij të mëparshme se i biri i tij ishte vrarë me urdhër të Vladimir Putinit. Tani, ai të birin e përshkruan si “një tradhtar që e meritoi të vdiste”.

Derisa po fliste për televizionin shtetëror rus (RT), nga banesa e tij në Itali, Valter Litvinenko (73) deklaroi ndjehet thellësisht keq se për vrasjen e djalit të tij kishte akuzuar për vite të tëra kryeministrin rus, Vladimir Putin, dhe shërbimin sekret rus (FSB). Valter Litvinenko theksoi se shpresonte se do t’i falen këto akuza, dhe se do të lejohet që të kthehet në vend.

“Vladimir Vladimirovic: nëse po e shikon këtë program, të lutem që të më falësh për ofendimet që t’i kam bërë, dhe për gjithë atë urrejtje që kam pasur ndaj teje”, tha ai për RT.

“Po ta kisha ditur se djali im punonte për shërbimin britanik të zbulimit, nuk do të flisja fare për vdekjen e tij. Ai është dashur të vritej, sepse ishte një agjent i dyfishtë. Tradhtarët e meritojnë vdekjen”, shtoi ai.

Duk sugjeruar se i biri i tij ishte i përfshirë në botën e turbullt të spiunazhit, gjë që edhe i kushtoi me jetë, ai pranoi se fillimisht nuk ishte i sigurt nëse Alexander vërtet punonte për MI6.

Ish-agjenti i FSB, Alexandar Litvinjenko, që pastaj u shndërrua në një kritik të ashpër të Kremlinit, ka vdekur në vitin 2006, në Londër. Paraprakisht, në një hotel prestigjioz londinez, ai kishte pirë një filxhan çaj të helmuar me polonium. Britania e Madhe disa herë kishte kërkuar nga Rusia ekstradimin e Andrei Lugovoy, që ishte i dyshuari kryesor për këtë vrasje. Por, në vend të kësaj, Lugovoy ndërkohë u bë deputet në parlamentin rus.

Babai i Alexander Litvinenko tani thotë se ka ndryshuar mendje për atë që ka ndodhur, pasi që e veja e të birit, Marina Litvinenko, kishte zbuluar se ai ishte bashkëpunëtor i MI6.

Duke e cilësuar të birin si një “turp personal dhe familjar”, Valter Litvinenko deklaroi se pas zbulimit se Alexander kishte punuar për shërbimin e fshehtë britanik, ishte bindur se kishte gabuar keq në vlerësim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›