Jahjaga largohet vetëm nëse kryhen reformat zgjedhore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk është e interesuar në mandat të plotë pesë vjeçar, që do ta mbante në krye të shtetit deri në pranverën e vitit 2016.
Ish-gjeneralmajorja e Policisë së Kosovës po pret që partitë të kryejnë reformat zgjedhore dhe kushtetuese që ajo të tërhiqet. Ky është i vetmi që në Zyrën e Presidencës e shohin të pranueshëm edhe për vetë Jahjagën.
Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, ka shpjeguar për “Kohën Ditore” se presidentja do të largohet vetëm nëse zbatohet marrëveshja.
“Presidentja e ka përsëritur këtë në çdo deklarim të saj. I përket Kuvendit të Kosovës që gjatë kësaj procedure t’i respektojë ligjin dhe Kushtetutën. Presidentja ka deklaruar se do të bëjë dorëzim-pranimin e rregullt të detyrës kur të përfundojnë të gjitha procedurat kurdo që kjo të ndodhë, pa lënë asnjë vakuum”, ka thënë Vllahiu.
Sipas tij, çdo largim tjetër i Jahjagës nga posti i të parës së vendit do të shkaktonte situata të jashtëzakonshme./Indeksonline/