E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga nderohet me "Medaljen e Shërbimit në Polici"

Presidentja Atifete Jahjaga ka dhënë dorëheqjen nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Kosovës. Jahjaga u nderua me mirënjohje dhe me Medaljen e Shërbimit, për gjithë kontributin që ka dhënë gjatë punës së Policinë e Kosovës.
 

“Në 7 prill 2011, pasi u votua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dha dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme për operativë në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, presidentja Jahjaga gjatë ditës ka vizituar Ministrinë e Punëve të Brendshme, prej nga është nderuar me mirënjohje dhe medalje.
 

Ajo u prit nga ministri Bajram Rexhepi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, presidentja Atifete Jahjaga u nderua me mirënjohje dhe me Medaljen e Shërbimit, për gjithë kontributin që ka dhënë gjatë punës së Policinë e Kosovës.
 

Presidentja Jahjaga u shpreh se ndihet shumë mirë që është mes kolegeve e kolegëve ku kaloi 11 vjet, duke dhënë kontributin e pakursyeshëm për të ndërtuar një institucion, policinë e Kosovës, që aktualisht sipas saj është një shembull i padiskutueshëm i suksesit.
“Kam përjetuar të gjitha sfidat që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës. Jam krenare që jam angazhuar në krijimin e ndërtimin e njërit prej institucioneve më të respektuara të Kosovës”, tha ajo.
 

Duke vlerësuar si të suksesshme punën në policinë e Kosovës, presidentja Jahjaga tha se “këtë e tregon rrita dhe profesionalizmi i policisë së Kosovës, sukseset e saj të panumërta, bashkëpunimi i saj shumë i mirë me të gjitha institucionet e tjera dhe, më kryesorja, bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me të gjithë qytetarët e Kosovës”.
 

Ndërkaq, ministri Bajram Rexhepi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, vlerësuan lart punën që ka bërë zonja Jahjaga në policinë e Kosovës dhe u shprehën të bindur se ajo edhe detyrën e re do ta kryejë në mënyrë të shkëlqyeshme, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›