E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli, zëvendëskryeministër i parë i Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi ka emëruar Behgjet Pacollin zëvendëskryeministër i parë i qeverisë së Kosovës.

Sipas mediave kosovare Pacolli do të jetë i ngarkuar i veçantë për marrëdhënie ndërkombëtare për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës, si dhe për të sjellë investime të huaja në Kosovë.

Kabineti i Qeverisë Thaçi ka mbajtur mbledhjen e radhës, por pa prezencën e ministrave që vijnë nga radhët e Koalicionit për Kosovës të Re. Mospjesëmarrjen në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, ata e kanë arsyetuar me angazhimet e shumta ditore.

Ndërkaq, në këtë mbledhje, kryeministri Hashim Thaçi, ka deklaruar se konsensusi politik i arritur në Kosovë për zgjedhjen e presidentit dhe për daljen nga kriza politike, duhet të merret shembull nga vendet e rajonit.

Zgjedhjen e presidentit, kreu i qeverisë e ka quajtur si një lajm të mirë në historinë e re të Kosovës.

Ndërkohë, pas mbledhjes së qeverisë, zv/kryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë se janë duke biseduar me partnerin e koalicionit për ndryshimet që pritet të ndodhin brenda kabinetit qeveritar, ku sipas Kuçit, do të ketë një balanc të të dyja palëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›