E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga ngushëlloi presidentin italian, Gorgio Napolitano

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një telegram ngushëllimi presidentit të Italisë, Gorgio Napolitano, si dhe popullit të këtij shteti, me rastin e vdekjes së ish- presidentit italian, Oscar Luigi Scalfaro.

Në tekstin e telegramit, Jahjaga ka shkruar se me me dhimbje të thellë e mori lajmin për vdekjen e ish- presidentit Scalfaro, personalitet ky me rëndësi në politikën italiane.

Presidentja Jahjaga vlerësoi se vdekja e presidentit Scalfaro është një humbje e madhe si për familjen e tij, për popullin dhe shtetin e Italisë, por edhe për gjithë popujt miq të shtetit italian.

“Udhëheqja dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do ta mbajnë mend presidentin Scalfaro për kontributin dhe ndihmën e tij të pakursyeshme për Kosovën, në kohët më të vështira. Në emrin tim dhe në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e presidentes Jahjaga.

Ndryshe, ish- presidenti i Italisë, Oscar Luigi Scalfaro në moshën 93 vjeçe, ndërroi jetë të dielën dielën në banesën e tij në Romë.

Scalfaro është një figurë që e ka kaluar pothuajse të gjithë jetën e tij në politikë, pasi që në vitin 1946 u zgjodh në Asamblenë Kushtetuese. Në pesë dekadat e jetës së tij politike, Scalfaro mbajti disa herë detyrën e Ministrit dhe ishte një Senator i përjetshëm.

Ai u zgjodh President i Italisë në një moment kritik në jetën e vendit, menjëherë pas atentatit që i mori jetën gjykatësit Falcone në vitin 1992 dhe udhëhoqi një luftë të vendosur kundër mafias siçiliane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›