E Shtunë, 31 Tetor 2026

PIPS: Kosova me një zonë zgjedhore, lista të mbyllura

Instituti i Prishtinës për Studime Politike, PIPS e ka publikuar analizën publike të radhës që ka të bëjë me reformën zgjedhore dhe kushtetuese në Kosovë. Analiza reforma zgjedhore: demokracia tek listat dhe zonat synon të trajtoj historikun e krizës politike në Kosovë, përpjekjen e elitave politike për ta afatizuar krizën përmes inicimit të reformës zgjedhore, rreziku potencial që prek sistemin politik dhe rendin demokratik reforma e ndërmarr në kushtet e një demokracie të pakonsoliduar në Kosovë.

PIPS përmes analizës reflekton për punën e dy komisioneve parlamentare ad-hoc për Amandamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe ndryshimet Kushtetuese, sfidat dhe lëshimet e partive politike, propozimet e tyre, rreziku i dështimit të reformës duke e rikthyer në anti-reformë dhe për nevojën e demokracisë kosovare për të ndërtuar sistem të qëndrueshëm politik e institucional para reformave.

Instituti përmes një komunikate rekomandon që Kosova duhet të ketë një zonë zgjedhore, ndërsa listat të mbyllen, pasi kësisoj do të shmangej rajonalizimi i mëtejmë i vendit, sepse me ndarjen në shumë zona zgjedhore, LDK-ja do të fokusohej në zonat ku fiton tradicionalisht vota duke i mbyllur zyrat në Drenicë, njëjtë do të vepronin PDK, si dhe AAK që merr shumicën e votave në Dukagjin. Pra, do të krijohen parti zonale dhe jo të tilla kombëtare që do të merreshin me punët e vendit.

“Do të rritej demokracia e brendshme pasi me mbylljen e listave kandidatët nuk do të priren të vjedhin votat veçmas brenda një liste partiake si dhe lidershipi i partisë do të synonte të përfaqësohej me një përzgjedhje sa më atraktive për qytetarët. PIPS e konsideron të nxituar procesin e reformave, veçmas asaj Kushtetuese pasi në kushtet e një demokracie të pakonsoliduar rreziku që prek rendin politik është i madh. Po ashtu, prek funksionimin e institucioneve të pavarura. Në fund, PIPS rekomandon listën e gjatë me rekomandimet për dy komisionet parlamentare”, thuhet në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›