Jahjaga ngushëllon Presidentin kroat Josipovic

Me rastin e vdekjes së kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Boris Shprem, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar telegram ngushëllimi Presidentit të Republikës së Kroacisë, Ivo Josipovic.
“I nderuari President Josipovic, me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Boris Shprem, një njeriu me virtyte të larta dhe luftëtari të madh për demokracinë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për Kroacinë, për parlamentarizmin e këtij vendi dhe në radhë të parë për familjen e tij. Në emër të popullit të Republikë së Kosovës, të institucioneve të tij dhe në emrin tim personal ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Ngushëllimet më të thella për familjen Shprem dhe në këto çaste të rënda për ju jemi bashkë me ju”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.