E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga takon Lajcak: Kosova s’duhet lënë e izoluar në rajon

PRISHTINE- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar një takim me drejtorin menaxhues për Evropën dhe Azinë Qendrore në Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme, Miroslav Lajçak.
Jahjaga ka deklaruar se, fillimi i dialogut për liberalizim të vizave, është sinjal se Kosova nuk do të lihet si i vetmi vend i izoluar në rajon, por tha se ky proces duhet të pasohet edhe me përparime të tjera në fusha të tjera, në veçanti në vendosjen e marrëdhënies kontraktuale me BE-në, duke gjetur mënyrën se si të tejkalohen problemet politike të shkaktuara nga mosnjohja e Kosovës nga 5 vende anëtare të BE-së. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Express.

Presidentja ka theksuar se “përfundimi i procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë është sukses i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve ë Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”.
Ndërkaqë duke folur për dialogun me Serbinë, Jahjaga ka thënë se “moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë po shkakton tensione të reja në Kosovë dhe po e dëmton legjitimitetin e institucioneve”.

“Bëj thirrje që procesi i dialogut të jetë më transparent dhe me llogaridhënie dhe që BE-ja të veprojë jo vetëm si lehtësues i dialogut por edhe si garantuese e marrëveshjeve që arrihen gjatë këtij procesi”, ka thënë ndër të tjera presidentja Jahjaga.
Nga ana tjetër, Lajçak, tha se dialogu i Kosovës me Serbinë është i rëndësishëm për të dyja vendet dhe shprehu interesimin e tij për zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga ky proces.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›