E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga uron presidentin Topi për Pavarësinë

TIRANË- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e 99-vjetorit të Ditës së Flamurit Kombëtar.

"Bërja e Shqipërisë gati një shekull më parë dhe stabilizimi i saj përgjatë kësaj periudhe përbën rrëfimin më të suksesshëm të historisë sonë kombëtare. Shtet-bërja dhe shtet-ndërtimi i Kosovës pothuaj njëqind vjet më vonë dhe kontributi e përkrahja e Shqipërisë në këtë proces jetësor është kapitulli më i ndritur i kësaj historie", thekson Presidentja Jahjaga në këtë urim.

"Shqipëria sot është një vend demokratik, me vlera të qëndrueshme të civilizimit evropian, që i kontribuon stabilitetit dhe paqes në rajon dhe botë, me vizion dhe përkushtim të qartë për idealin e integrimit euroatlantik. Jam e bindur që ky rrugëtim i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe përparimi që institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë po shënojnë çdo ditë, do të kurorëzohet së shpejti me sukses", përfundon mesazhi i urimit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›