Jahjaga:Marrja e udhërrëfyesit, hap i rëndësishëm

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për t`i dhënë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, dokument ky që mundëson plotësimin e kushteve për udhëtim të lirshëm në BE të qytetarëve të saj.
Presidentja e vlerëson këtë si hap të rëndësishëm të Komisionit Evropian dhe të vendeve anëtare që e kanë mbështetur këtë proces. Jahjaga shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara në këtë udhërrëfyes, duke konsoliduar arritjet në të gjitha fushat në kuadër të axhendës evropiane të Kosovës. Ajo vlerëson se vendimi i BE-së përçon një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës se edhe ata, si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Ballkanit, gëzojnë perspektivën evropiane.
Procesi i liberalizimit të vizave do të ndihmojë institucionet e Kosovës të thellojnë reformat në forcimin e institucioneve demokratike, në sundimin e ligjit si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.