Kosova merr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja për integrime Vlora Çitaku ka marrë në Bruksel udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Komisionerja e BE- së Sesilia Molmstrom e cila ia dorëzoi ministres Çitaku dokumentin e shumëpritur, foli edhe për përmbajtjen e tij.
“Unë jam e kënaqur në veçanti për faktin se pata rastin ta dorëzoj këtë dokument, të pritur me padurim nga qeveria e Kosovës. Ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit të këtij dokumenti, i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza. Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet t`i implementojë qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza. Nëse do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren,” ka thënë zonja Malmstrom.
Çitaku gjatë fjalës së saj ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është fryt i punës së përgjithshme të institucioneve të Kosovës, duke veçuar rëndësinë e madhe që ka për Kosovën lëvizja e lirë.
Udhërrëfyesi për Kosovën përmban 101 kritere, dyfish më shumë nga ato të vendeve të rajonit. Zyrtarët e BE-së kanë sqaruar se kjo është bërë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë me shtetet e rajonit. Përfaqësuesit e delegacionit kosovarë janë shprehur optimist se qeveria e Kosovës është e përgatitur dhe se do ti plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara.
Ndërkohë vendeve të rajonit u është dashur të presin nga dy deri në tre vite pas marrjes së udhërrëfyesit, që Bashkimi Evropian të bënte liberalizimin e vizave. Megjithatë, drejtuesit e institucioneve të Kosovës, kanë optimistë dhe shpresojnë se në rastin e Kosovës, liberalizimi i procesit të vizave do të ndodh më shpejt.