Jaho: Fletët e votimit janë dokumenta zyrtare

Juristi Niazi Jaho vlerëson se përgjigja që KQZ i ktheu G99 për fletët e votimit ishte i paligjshëm
"Për prokurorin, si do të cilësohen ato, dokumente zyrtare private apo të paemërtuara? Sigurisht që ato janë zyrtare"
Konstitucionalisti Niazi Jaho komenton nga ana ligjore nëse fletët e votimit janë dokumenta zyrtar dhe nëse Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mund tua vërë në dispozicion për verifikim individëve apo formacioneve të ndryshme politike në bazë të së drejtës për informim.
Në janar të këtij viti, G 99-ta, në mbështetje të nenit 23 të Kushtetutës dhe të ligjit "Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare", i është drejtuar KQZ-së për të pajisur atë me kopje të fletvotimeve të mbyllura në disa kuti votimi që përfshihen në KZAZ-të të qarqeve Berat dhe Tiranë. KQZ-ja, e refuzoi këtë kërkesë me arsyetimin se sipas ligjit "Për arkivat", fletëvotimet nuk janë dokumete zyrtare, se ato nuk mbahen në arkivin e KQZ-së.
Në aspektin ligjor të problemit do të dëshironim të dinim mendimin tuaj. A është e ligjshme refuzimi i kësaj kërkese?
Nëse refuzimi i kërkesës së G99-tës bazohet në orientimin që përmendni ju, mund të them se ajo nuk është e bazuar. Fletët e votimit mbas shpalljes të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve gjithmonë janë djegur.
Asnjëherë nuk është thënë se para djegies së tyre nuk janë dokumentarë zyrtarë. Vlerësimi apo cilësimi nëse fletët e votimit janë ose jo dokumente zyrtare nuk kushtëzohet me faktin se ato nuk i dërgohen arkivit qëndror të shtetit dhe as me faktin se nuk ruhen në arkivin e KQZ-së.
Sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor në fuqi, KQZ-ja është e detyruar t'i dërgojë Arkivit Qendror të Shtetit; procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalet e numërimit të fletëve të votimit, ndërsa brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve edhe dokumentet origjinale që parashikon pika 3 e nenit të mësipërm ku përfshihen edhe listat e zgjedhësve për zonën zgjedhore.
Në këtë vështrim, mendoj se KQZ-ja lidhur me refuzimin e kërkesës së G99-tës s'kishte pse ti referohej ligjit "Për arkivat". "Arsyetimi" se meqë fletët e votimit digjen nuk është argument për të refuzuar kërkesën që mbështetet në të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare.
Sigurisht që një ditë ato do të digjen por për aq kohë sa janë në ruajtje ose në administrimin e KQZ-së, konsiderohen dokumente zyrtare. Ligji mund të urdhërojë që ky apo ai dokument zyrtar mbas 1, 2 ose më shumë vitesh, të digjet apo të asgjesohet, por kjo nuk do të thotë se (pavarsisht nga koha e ruajtjes), vetë fakti që ato do të digjen, pushojnë së qënuri dokumente zyrtare dhe si rrjedhim nuk mund të kërkohet informacion për to.
Le të supozojmë për një çast se prokuroria është duke hetuar një çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor. Le të themi se del nevoja e kqyrjes të një apo dy kutive, ku mbahen fletët e votimit.
Për prokurorin, si do të cilësohen ato, dokumente zyrtare private apo të paemërtuara?
Sigurisht që ato janë zyrtare dhe nëse do të rezultojnë të dhëna për kryerjen e një vepre penale, nuk mund të injorohet fakti se ajo ka lidhje me dokumentin zyrtar. Për prokurorin nuk ka rëndësi se më vonë këto fletë votimi do të digjeshin.
Djegia e mëvonshme e tyre nuk përjashton ekzistencën e veprës penale dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personit përkatës. Fletët e votimit, sipas nenit 98 të Kodit Zgjedhor, përgatiten nga KQZ-ja.
Ato duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elementë konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elementët e sigurisë sipas përcaktimit të KQZ-së. Fletët e votimit merren dhe dorëzohen me procesverbal të rregullt. Vetë fakti i vulosjes së tyre konkretizon dhe fuqizon cilësinë e këtij dokumenti zyrtar.
Mund të thuhet pa mëdyshje se dokumentet zyrtare më të rëndësishme që përdoren gjatë aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor janë fletët e votimit. Në to shprehet vullneti i zgjedhësve në favor të këtij apo atij subjekti zgjedhor.
Është sasia e madhe e fletëve të votimit dhe jo vlera dhe cilësia e tyre që bën të nevojshme djegien. Nëse nuk do të ishte kjo, me siguri që ruajtja e tyre do të ishte e nevojshme qoftë edhe për një periudhë kohe që do të parashikohej në ligje.
Nga shpallja e rezutateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, kanë kaluar disa muaj, dhe fletët nuk janë djegur. Çmund të na thoni për këtë?
Për këtë mund të pyesni KQZ-në. Kam dëgjuar se kryetari i KQZ-së është shprehur se ende nuk i kemi djegur sepse nuk kemi dashur që zjarrit ti hidhet benzinë (ndoshta ai ka patur parasysh konfliktin PS-PD, lidhur me hapjen e kutive të votimit). Mendoj se mirë ka vepruar KQZ-ja. Në këtë rast nuk besoj të ketë ndonjë shkelje ligjore.
Thuhet se shkresa e përgjigjes që i është dhënë G 99-tës është firmosur vetëm nga kryetari i KQZ-së dhe nuk është shqyrtuar nga KQZ-ja. A është e rregullt kjo?
Me supozime nuk më pëlqen të përgjigjem. Por nëse është kështu kjo shkresë duhet të ishte nënshkruar edhe nga zëvendës kryetari. Shqyrtimi nga KQZ-ja si organ kolegjial nuk është i domosdoshëm, sepse ky është një veprim administrativ që ka të bëjë me kompetencat e kryetarit dhe zëvendës kryetarit të KQZ-së.
Sipas nenit 20 të Kodit Zgjedhor, kryetari i KQZ-së kryen funksionet e drejtuesit administrativ të institucionit, ndërsa zëvendëskryetari i KQZ-së kryen detyrat e kryetarit në mungesë të tij.
Mirpo në pikën 3 të nenit të mësipërm thuhet se të gjitha aktet e karakterit administrative "nënshkruhen edhe nga zëvendës kryetari, përndryshe janë të pavlefshme. Bëjnë përjashtim rastet kur kryetari ose zëvendës kryetari nuk ushtrojnë funksionet për arsye objektive."