Xhufi: Në Shqipëri nuk ka minoritet serb
Historiani Pëllumb Xhufi gjykon se ngritja e një pretendimi të tillë është një lojë politike e Serbisë
"Shqipëria është një vend, i cili çështjet e minoriteteve i ka zgjidhur që në fillim të shekullit të XX"
TIRANË- Pretendimi i shfaqur nga qeveria serbe për ekzistencën e një minoriteti serb në vendin tonë, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, në Serbi, është hedhur poshtë nga historiani Pëllumb Xhufi.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Xhufi argumenton se duke iu referuar fakteve historike dhe marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë, rezulton se në Shqipëri nuk ekziston një minoritet i tillë.
Sipas tij, pretendimi për një minoritet serb, nuk është shfaqur as edhe në periudhën e viteve 1944 -1948, kur Shqipëria kishte marrëdhënie të mira me shtetin e Ish-Jugosllavisë, dhe kur në këtë kohë u njohën edhe minoritetet sllave, si minoriteti malazez dhe ai maqedonas, pavarësisht numrit të reduktuar të tyre. Ai vë në dukje se kjo është një lojë politike e Serbisë, në një kohë kur qeveria shqiptare ka paralajmëruar regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Zoti Xhufi, së fundmi ka lindur një pretendim se në Shqipëri ekziston një minoritet serb. Ju si historian si e gjykoni këtë çështje dhe a ekziston një minoritet i tillë ?
Shqipëria është një vend, i cili çështjet e minoriteteve i ka zgjidhur që në fillim të shekullit të XX, posaçërisht në Lidhjen e Kombeve duke mbrojtur minoritetet e saj. Përsa i përket minoriteteve sllave në Shqipëri, ose minoriteteve të popujve që bënin pjesë në Ish-Jugosllavi, Shqipëria në vitin 1944 pas Luftës së Dytë Botërore njohu minoritetin malazez në trevën e Shkodrës dhe minoritetin maqedonas.
Nëse do të kishte ndonjë minoritet tjetër, minoritet serb, minoritet kroat apo minoritet slloven, këto natyrisht do të ishin njohur, sepse periudha e viteve 1944 ka qenë një periudhë e marrëdhënieve më të mira e të ngushta midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Kështu që, këtu kërkohet të shpiket një minoritet i ri në Shqipëri, që nuk ka ekzistuar dhe që edhe në këto 30-40 vitet e fundit, nuk ka pasur ndonjë shpërngulje të popullsisë nga Serbia në drejtim të Shqipërisë. Kështu që, e konsideroj një gabim të madh që ministri ynë i Jashtëm pranon të hyjë në një çështje të tillë me kolegun e tij, serb Vuk Jeremiç.
Pra, kërkoi rrugëdalje nga ky debat duke iu referuar regjistrimit të paralajmëruar të popullsisë nga qeveria shqiptare, regjistrim i cili parashikon edhe përcaktimin e kombësisë dhe të fesë në bazë të vetëdeklarimit, duke e gjetur mbështetjen në një regjistrim, i cili do të ishte një regjistrim antikushtetues, i konceptuar kështu, siç e ka konceptuar qeveria shqiptare.
Unë jam i bindur në rastin më të parë, në qoftë se dikush do ta paraqiste në Parlament, dhe nëse do të kalonte e do të bëhej edhe kusht për Gjykatën Kushtetuese, jam i bindur se Gjykata Kushtetuese do të hidhte poshtë një regjistrim të tillë, si një ligj, i cili do të ishte në kundërshtim me ligjet dhe me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë.
A ka pasur më parë pretendime për ekzistencën e një minoriteti serb në Shqipëri, qoftë edhe nga shteti i Ish-Jugosllavisë?
Nga qeveria e ish-Jugosllavisë nuk ka pasur një pretendim të tillë sepse po të kishte pasur një pretendim, është krejt e logjikshme që ai do të pranohej, duke iu referuar viteve 1944-948, kur u konfirmuan edhe dy minoritet e tjera sllave në Shqipëri, maqedonas dhe ai malazez, pavarësisht numrit tepër të reduktuar.
Kështu që, po të kishte minoritet serb, me siguri do të ishte njohur që në atë kohë. Në dijenë time, pretendime nga qeveria e Beogradit nuk ka pasur as në kohën e serbomadhit Rankoviç, sepse nuk kishte bazë për një pretendim të tillë.
Vetëm në kohën e krizës në Kosovë serbomadhi tjetër Millosheviç fliste ndonjëherë për "minoritet serb në Shqipëri", por i referohej minoritetit malazez, duke shfrytëzuar edhe ndonjë drejtues filoserb të këtij minoriteti që në vend të Podgoricës shkonte në Beograd.
Por, edhe Millosheviçi e përdorte këtë "kartë" për propagandë. Ai kërkonte të shpikte minoritete jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri. Ka qenë më shumë një instrument propagandistik, i cili nuk gjente asnjë bazë në realitetin etnik të Shqipërisë.
Tani zoti Meta duke premtuar "zgjidhjen e pretendimit të ri të Beogradit në kuadër të regjistrimit të ri të popullsisë", nga njëra anë njeh në mënyrë implicite ekzistencën e minoritetit serb në Shqipëri, nga ana tjetër akrediton një regjistrim të popullisë po aq antikushtetues, sa edhe marrëveshja e tij detare me Greqinë.
Kombësia është një e dhënë objektive, historikisht e anagrafikisht e konfirmuar. Ajo nuk mund të zgjidhet, siç po kërkon të na bindë qeveria "Berisha" dhe ministri i Jashtëm i saj.
Cili është qëllimi që kërkohet në këtë periudhë, ekzistenca e një minoriteti serb në Shqipëri?
Çdo shtet luan për interesat e tij. Natyrisht, edhe kjo Serbia e sotme, pavarësisht zhvillimeve, që kanë ndodhur pas vitit 2000 me largimin e Millosheviçit, ajo vazhdon të ruajë disa referenca historike, disa qëndrime historike të saj.
Për çështjen e Kosovës, po ministri i Jashtëm serb Jeremiç, ka qenë po aq i egër, po aq intolerant dhe i vendosur sa ka qenë edhe Millosheviçi vetë.
Pra, është ky ministër, i cili ka deklaruar në mënyrë të prerë, që Serbia më shpejt do të hiqte dorë nga Evropa sesa do të hiqte dorë nga Kosova. Në këtë kuadër, është bërë edhe ky diversion do të thoja, në bisedën me ministrin tonë të Jashtëm për ta mbajtur gjithsesi një "kartë" që në terrenin e fakteve nuk ekziston.
Pra, për ta mbajtur këtë kartë dhe për ta përdorur atë sigurisht, qoftë për të bërë diversion, qoftë për të pasur një pikë, që do të lejonte ndërhyrjet e herëpashershme në punët tona të brendshme, qoftë edhe për të krijuar edhe disa balanca, për të ekuilibruar shqetësimet që ekzistojnë realisht për gjendjen e minoriteteve në Serbi dhe posaçërisht gjendja e minoritetit shqiptar në Serbi, duke iu referuar atij të Luginës së Preshevës.
Pra, në politikë lojëra të tilla bëhen. Por, problemi është që palët me objektivitet, duke analizuar edhe duke iu referuar historisë ndonjëherë, jo siç thotë ministri i Jashtëm, që ka një alergji të jashtëzakonshme nga historia.
Duke iu referuar historisë dhe fakteve, këto probleme zgjidhen në mënyrën më të mirë. Mënyra e vetme, në rastin e këtij pretendimi për ekzistencën e një minoriteti serb në Shqipëri është pikërisht referimi ndaj historisë dhe ndaj marrëdhënieve të Serbisë me Shqipërinë në një plan historik.
Ashtu siç e përmenda edhe më lart, asnjë minoritet serb nuk është njohur, asnjëherë nuk është prentenduar dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar në Shqipëri në të kaluarën. Nuk ka arsye të ekzistojë edhe sot, për sa kohë nuk kemi pasur as edhe ndonjë dyndje të serbëve nga Serbia në drejtim të kufirit shqiptar deri më tani.
Cili duhet të jetë pretendimi i shqiptarëve për të drejtat e minoritetit shqiptar në shtetin serb, veçanërisht atij të Luginës së Preshevës?
Shteti shqiptar ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, është i detyruar edhe me Kushtetutë, që të interesohet për gjendjen e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë. Këtë e ka bërë vazhdimisht përsa i përket Kosovës, përsa i përket shqiptarëve në Maqedoni apo në Mal të Zi. Natyrisht, këtë duhet duhet ta bëjë edhe përsa i përket gjendjes së komunitetit të madh shqiptar në Luginën e Preshevës.
Pra në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Ne kemi një shtet të ri, që është shteti i Kosovës, i cili është i lidhur organikisht me këtë minotoritet shqiptar në Serbinë jugore dhe këtu ka një spostim, një zhvendosje prioritesh. Kosova është shteti amë tashmë i minoritet shqiptar në Luginën e Preshevës, që i takon të interesohet.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë që shteti shqiptar të heqë dorë. Por, ajo që do të kërkohej më së shumti edhe në këtë vizitë të ministrit të Jashtëm shqiptar, është kjo, që mbi qeverinë serbe duhet të ushtrohet i gjithë presioni pozitiv, që ta njohë Republikën e Kosovës dhe të hyjë në marrëdhënie normale me këtë vend, ashtu siç kanë hyrë shumica dërmuese e vendve të Evropës.
Pra, Kosova me Serbinë të trajtojnë sëbashku edhe problemet respektive të minoriteteve, atë të minoritetit serb në Kosovë dhe atë të minoritetit shqiptar në Serbi, posaçërisht në Luginën e Preshevës.
Në këtë aspekt, unë nuk dëgjova ndonjë mbështetje nga ana delegacionit shqiptar, për të bërë një presion pozitiv mbi palën serbe në drejtim të njohjes së realitetit të ri të Kosovës, natyrisht edhe në drejtim të përmirësimit, rregullimit e të vendosjes së raporteve normale shtetërore midis këtyre dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës dhe për zgjidhjen e problemeve, që realisht ekzistojnë midis dy vendeve.
"Nga qeveria e ish-Jugosllavisë nuk ka pasur një pretendim të tillë sepse po të kishte pasur një pretendim, është krejt e logjikshme që ai do të pranohej, duke iu referuar viteve 1944-1948, kur u konfirmuan edhe dy minoritet e tjera sllave në Shqipëri, maqedonas dhe ai malazez, pavarësisht numrit tepër të reduktuar. Kështu që, po të kishte minoritet serb, me siguri do të ishte njohur që në atë kohë"
"Për ta mbajtur këtë kartë dhe për ta përdorur atë sigurisht, qoftë për të bërë diversion, qoftë për të pasur një pikë, që do të lejonte ndërhyrjet e herëpashershme në punët tona të brendshme, qoftë edhe për të krijuar edhe disa balanca, për të ekuilibruar shqetësimet që ekzistojnë realisht për gjendjen e minoriteteve në Serbi dhe posaçërisht gjendja e minoritetit shqiptar në Serbi, duke iu referuar atij të Luginës së Preshevës. Pra, në politikë lojëra të tilla bëhen"