E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për hetimin parlamentar, PD fsheh amendamentet

Grupi parlamentar demokrat duhet të kishte paraqitur amendamentet e veta në Kuvend brenda ditës së enjte


Grupi parlamentar i Partisë Demokratike heziton të bëj publike amendamentet që ka përgatitur për t'ia bashkangjitur projektligjit të socialistëve për hetimin e zgjedhjeve. Ndryshe nga sa deklaroi disa herë në fillim të javës kreu i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajli grupi demokrat nuk bënë të ditur nëse këto ndryshime i ka depozituar apo jo në Kuvend, pavarsisht se një gjë e tillë duhet të bëhej brenda të enjtes së shkuar.


Duke folur në mbledhjen e këtij komisioni të mbajtur datën 9 mars Rusmajli duke iu referuar afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve shtesë u shpreh se "Sot (të martën), ne nuk i mbyllim dot gjerat, sepse kemi limit ditën e enjte për të paraqitur amendamentet".


Por pavarësisht se ky afat ka kaluar përfaqësuesit e djathtë të kontaktuar disa herë me telefon nuk kanë bërë të ditur në mënyrë të qartë nëse kanë depozituar amendamente dhe nëse po cila ishte përmbajtja e tyre.


Duket se kjo ka të bëj me një strategji taktike të demokratëve të cilët kërkojnë të mbajnë të painformuar opozitën me këto ndryshime, në mënyrë që kjo e fundit të mos jetë e përgatitur për debatin që pritet të zhvillohet ditën e hënë në komision.


Por megjithatë nga ajo që lexoi disa ditë më parë relatori demokrat Viktor Gumi nuk është e vështirë të dallosh pikat ku dhe mazhoranca kërkon të ndërhyjë dhe ndryshojë në ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore.


Kështu demokratët propozojnë që struktura legjislative e ligjit në fuqi "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore" mund të pasurohet dhe përditësohet me qëllim për të qënë sa më funksionale dhe kushtetuese me këto variante: dispozitë për parimet e përgjithshme të hetimit parlamentar, për parimet që duhen respektuar për caktimin e objektit dhe të qëllimit të komisionit hetimor, për parimet që duhen respektuar gjatë hetimit parlamentar në të gjithë komponenët e tij, për parimet e nevojshme që duhen respektuar kur nxirren konkluzione, si dhe një sërë dispozitash për për caktimin e raporteve të komisionit me veprimtarinë e gjykatave, prokurorisë, pushtetit ekzekutiv dhe institucionet e pavarura.


Gjithashtu siç bëri të ditur Gumi në relacion është rasti, sikundër edhe disa legjislacione të vendeve të tjera e kanë bërë, që të saktësohet në ligj ndalesa për kryerjen paralele të hetimit parlamentar me atë gjyqësor apo të prokurorisë.


Debati për projektligjin në fjalë është lënë të rinisë në Komisionin e Ligjeve ditën e hënë në diskutimet dhe miratimin në parime dhe ditën e enjte fillimin e diskutimeve nenë për nenë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›