E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho: Ku po e shkelin ligjin kandidatët

Juristi i njohur, Niazi Jaho, në intervistën dhënë gazetës "Shqip", në aspektin ligjor dhe kushtetues sqaron disa çështje që kanë të bëjnë me nenin 69 të Kushtetutës dhe që pjesërisht janë të diskutueshme, siç është për shembull moslejimi për të kandiduar dhe për t‘u zgjedhur si deputet, pa hequr më parë dorë nga detyra e funksioneve të larta të administratës shtetërore.

Zoti Jaho, PD dhe ndonjë parti tjetër, në listën shumemërore të kandidatëve për deputetë ka paraqitur edhe persona që duhet të japin dorëheqjen, siç janë për shembull prokurorë, gjyqtarë, kryetarë bashkie e komune, si dhe funksionarë të lartë të administratës shtetërore. A është shkelur në këto raste neni 69 i Kushtetutës?

Neni 69 i Kushtetutës, siç dihet, ndalon kandidimin dhe zgjedhjen si deputet pa hequr dorë nga detyra të gjyqtarëve, prokurorëve, ushtarakëve të shërbimit aktiv, punonjësve të policisë dhe të sigurimit kombëtar, përfaqësuesve diplomatikë, kryetarëve të bashkive dhe të komunave, si dhe prefektëve në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, të kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve zgjedhore, Presidentit të Republikës dhe funksionarëve të lartë shtetërorë të parashikuar nga ligji. Nuk jam njohur as me listat shumemërore të PD-së dhe as me listat e ndonjë partie tjetër të regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor. Nuk jam në dijeni se cilat lista shumemërore janë pranuar të rregullta dhe cilat lista janë kthyer nga KQZ-ja për parregullsi, dhe të ç‘natyre kanë qenë këto parregullsi. Ende nuk jemi njohur me vendimin e KQZ-së për miratimin ose refuzimin e dokumentacionit përfundimtar të përcaktuar në Kodin Zgjedhor për kandidim. Prandaj, lidhur me pyetjen që më bëhet, do të jap sqarime kryesisht në aspektin ligjor dhe kushtetues. Lista shumemërorë e kandidatëve të çdo partie të regjistruar si subjekt zgjedhor ose të çdo koalicioni në tërësi duhet të jetë në përputhje me nenin 69 të Kushtetutës. Kjo do të thotë se në këto lista nuk duhet të figurojë si kandidat asnjë person i zgjedhur apo i emëruar që parashikohet në dispozitën e mësipërme kushtetuese, pa hequr dorë nga detyra që ka. Nëse subjektet zgjedhore në listat shumemërore të dorëzuara në KQZ, nuk kanë respektuar kërkesat e nenit 69 të Kushtetutës, është detyrë e KQZ-së që në zbatim të nenit 73 të Kodit Zgjedhor, gjatë verifikimit të dokumentacionit përkatës, kur konstaton cenimin e nenit 69 të Kushtetutës, ose mospërmbushjen e normave të Kodit Zgjedhor, ta ktheje dokumentacionin për korrigjim.

Cila është arsyeja që neni 69 i Kushtetutës nuk lejon kandidimin dhe as zgjedhjen si deputet të një kategorie zyrtarësh, pa hequr dorë nga detyra?

Mendoj se arsyeja është e qartë, madje është në interes të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të paanshme dhe të pakontestuara. Konkretisht: nëse të themi gjyqtari, prokurori, punonjësi i policisë etj., kandidon si deputet pa hequr më parë dorë nga detyra, gjatë fushatës zgjedhore dhe aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor mund të ndikojë në favorin e tij dhe të subjektit zgjedhor që e ka përfshirë atë në listën shumemërore. Është pikërisht kjo arsyeja që në nenin 69 të Kushtetutës thuhet se këta persona jo vetëm nuk duhet të kandidojnë pa hequr dorë nga detyra që kanë, por as të zgjidhen si deputetë, ndryshe, sipas pikës 2 të nenit 69 të Kushtetutës, mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin e parë të këtij neni, do të ishte i pavlefshëm. Kam mendimin se fenomene të tilla duhen parandaluar. Do të ishte keq që një mandat i fituar në kundërshtim me Kushtetutën të shpallej i pavlefshëm. Nuk duhet harruar gjithashtu se në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e mandateve do të shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve. Në rast se ky komision do të vërente paligjshmëri në zgjedhje, sipas nenit 3 të Rregullores së Kuvendit do t‘i propozonte Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese që të vendosë lidhur me çështjen e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, si dhe verifikimin e zgjedhjes së tyre (neni 131, germa "e" e Kushtetutës).

Si duhet vepruar nëse KQZ-ja ka miratuar listën shumemërore të kandidatëve për deputetë që nuk kanë dhënë dorëheqjen nga detyra?

Ky vendim ose këto vendime mund të atakohen nga subjekti i interesuar në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. E shikoj të nevojshme të theksoj se kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët, nuk lejohen të kandidojnë në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, pikërisht për të parandaluar ndikimin e mundshëm në favorin e tyre, ose të subjektit zgjedhor që i ka kandiduar.

Sipas nenit 69 të Kushtetutës nuk duhet të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë funksionarë të lartë të administratës shtetërore, por kategoria e këtyre funksionarëve duhet të parashikohet në ligj. Ǒmendim keni për këtë?

Fill pas miratimit të Kushtetutës të vitit 1998 do të duhej të miratohej ligji për të përcaktuar kategorinë e atyre që do të përfshiheshin në grupin e "funksionarëve të lartë të administratës shtetërore". Në fakt, deri më sot një ligj i tillë nuk është miratuar. Me gjithë këtë, mendoj se nuk do të ishte as e drejtë dhe as në interes të zgjedhjeve të ndershme dhe të paanshme që persona të cilët në fakt janë funksionarë të administratës së lartë shtetërore, të mos hiqnin dorë nga detyrat që kanë, me arsyetimin se "nuk ka ligj që t‘i ndalojë". Në fakt, për gjykatën që eventualisht mund të shqyrtonte (në bazë të ankesës) një çështje të tillë, mungesa e këtij ligji nuk duhet të përbënte pengesë. Gjykatat zbatojnë drejtpërsëdrejti Kushtetutën. Ato kanë parasysh frymën dhe qëllimin e saj. Veç kësaj do të mjaftonte të përmendnim nenin 1, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, ku thuhet se "Gjykata nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten me arsyetimin se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërthënie ose është i paqartë". Ndërsa, në nenin 155, pika 1 e Kodit Zgjedhor thuhet: "Në shqyrtimin gjyqësor të kërkesë padive për të gjitha veprimet procedurale që nuk rregullohen nga ky kod, Kolegji Zgjedhor zbaton dispozitat e Kodit të Procedurës Civile për gjykimin e çështjeve në shkallë të parë".

Cili është momenti që lista shumemërore konsiderohet e miratuar?

Këtë e sqarova edhe më parë. Lista konsiderohet e miratuar qysh nga momenti i vendimit që merr KQZ-ja. KQZ-ja, sipas pikës 3 të nenit 73 të Kodit Zgjedhor, publikon listën e plotë të kandidatëve në tri gazeta me tirazh në shkallë vendi, në median elektronike, si dhe në faqen e saj në internet. Emrat në listat shumemërore dhe renditja e tyre, siç thuhet në pikën 4 të nenit të mësipërm të Kodit Zgjedhor, "nuk mund të ndryshohen pas miratimit përfundimtar nga ana e KQZ-së". Kjo do të thotë se subjekti zgjedhor që kandidon persona në kundërshtim me nenin 69 të Kushtetutës dhe vetë kandidati, direkt apo indirekt, kanë pranuar edhe riskun e mundshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›