E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaho Mulosmani furnizoi bandën me uniforma policie

Dëshmia


I penduari i bandës së Durrësit, tha dje gjatë dëshmisë së tij se kishte marrë uniforma nga babai i të dënuarit për vrasjen e Azemit


"Veshjet i mora nga babai i Jahos në vitin 1998, dhe me porosi të Lul Berishës ai mi dorëzoi mua"


TIRANË- I pandehuri Adriatik Coli, i njohur ndryshe edhe si i penduari i "bandës" së Durrësit, vazhdoi edhe në seancën e djeshme t'i përgjigjet pyetjeve të avokatëve të Lulëzim Berishës, duke nxjerrë përsëri emra të rinj, si kontribues direkt apo indirekt në ngjarjet e ndryshme në qytetin bregdetar të Durrësit.


Në seancën e djeshme gjyqësore, që ishte e 96 ndaj 15 të pandehurve të "bandës", i penduari Coli, përveç dëshmisë së tij për vrasjet e ndryshme të ndodhura në këtë qytet, ka përmendur dje edhe emrin e të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit, shtetasin Jaho Mulosmani dhe babain e tij. "Ka qenë viti 1998, nuk më kujtohet muaji, por, di që në atë kohë Jaho Mulosmani ka qenë shef në Komisariatin e Tropojës.


Në këtë kohë ka ardhur në Durrës babai i tij dhe ka takuar Lulëzim Berishën. Ky i fundit i kishte kërkuar Jahos uniforma policie. Kur erdhi babai i Jahos dhe solli disa uniforma, Luli i kishte thënë që të mi dorëzonte mua.


Më lajmëroi Luli dhe e takova babën e Jahos dhe i mora uniformat e policisë. Këto uniforma babai i Jahos, i kishte sjellë me porosi të këtij Lulit, pasi Luli i kishte kërkuar disa të tilla. Të nesërmen ia dorëzova Lulit këto uniformat e policisë"-, tha gjatë dëshmisë së tij Adriatik Coli, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të pandehurve.


Pas këtij deklarimi në procesin që vazhdon të zhvillohet me dyer të mbyllura ka ndërhyrë prokurori i çështjes që i ka kërkuar gjykatës të mos lejojë vazhdimin e këtyre përgjigjeve, të cilat janë jashtë objektit të gjykimit.


I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i avokatëve, duke pretenduar dhe duke i kujtuar Gjykatës se i pandehuri me statusin e të penduarit në bashkëpunim me prokurorinë kanë fshehur disa vrasje të tjera. "Duam të provojmë para gjykatës, se i penduari ka dëshmuar edhe ngjarje të tjera të ndodhura në Durrës, për të cilat prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim.


Kjo na lë për të dyshuar se prokuroria në hetimin dhe përfundimin e fazës hetimore, ka dorëzuar në gjykatë vetëm disa persona të cilët i interesonin atyre dhe nuk ka kryer një hetim objektiv.


Për këto fakte të reja, që i pandehuri Coli ka deklaruar i kërkojmë sërish gjykatës që dosja t'i kalojë për hetim edhe njëherë organit të akuzës që duhet të verifikojë pozicionin e të gjithë personave të përmendur"-thanë avokatët. Pas tyre, ka reagoi edhe i pandehuri Lulëzim Berisha.


Ai iu drejtua gjykatës duke akuzuar organin e akuzës se dëshiron që çështja e tyre të politizohet. "Prokuroria e ka përgatitur Colin që ta politizojë çështjen tonë, duke e kthyer çështje politike. Edhe kryeministrin Sali Berisha do ta kthejë kundër meje tani",-theksoi Lul Berisha para gjykatës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›