Sekuestrohen 23.5 kg heroinë, arrestohet Hamit Doçi
Një sasi e konsiderueshme heroine është sekuestruar nga policia e Mamurrasit mëngjesin e djeshëm. Ka qenë një informacion rutinë i marrë nga policia, i cili solli organizimin e operacionit dhe sekuestrimin e sasisë prej 23.5 kg heroinë në banesën e një shtetasi. Policia vuri në pranga pronarin e banesës ku u gjet droga, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbulimin e të tjerë personave të implikuar në rrjet. Operacioni i policisë u zhvillua në orët e mëngjesit të djeshëm në Mamurras, ku u sekuestruan plot 23.5 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Një fakt i tillë u bë i ditur zyrtarisht përmes një deklarate të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila sqaron se lënda narkotike u zbulua pas një informacioni rutinë dhe pas verifikimit të tij në bashkëpunim edhe me strukturat vendore policore u gjet sasia e drogës. Sasia prej 23 kilogramë e 510 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë u gjet në banesën e 64-vjeçarit Hamit Doçi, banor i qytetit të Mamurrasit. Policia sqaron gjithashtu se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një pistoletë tip “Bereta”, një armë gjahu po e tipit “Bereta”, respektivisht me nga 4 dhe 20 fishekë. Ndaj shtetasit Hamit Doçi është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit. Ende nuk dihet nëse zotëruesi i lëndës narkotike është pjesë e ndonjë rrjeti trafikantësh dhe cili ka qenë destinacioni i drogës. Por, në të njëjtën kohë, nga ana e policisë ende nuk ka të dhëna as mbi burimin e drogës së kapur në banesën e Doçit.