Rama: Nëse s'hapen kutitë, do të kërkojmë largimin e qeverisë
Rama tha se nëse s'hapen kutitë, populli do t'i ridrejtohet kutive të votimit dhe me zgjedhje të parakohshme të përcaktojë qeverinë që do
TIRANË - Nëse gjatë periudhës 10-ditore, kryeministri Sali Berisha nuk do të pranojë hapjen e kutive të votimit, atëherë opozita do të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, qartësoi dje lëvizjet e mëtejshme, që opozita do të ndërmarrë, në rast se nuk pranohet kërkesa kryesore, ajo për hapjen e kutive të votimit, që ka si qëllim transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
"Besoj se në shpjegimin publik të bërë dje, është thënë qartë që pas 10 ditësh, në rast se Sali Berisha refuzon t'i hapë rrugë hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve, duke filluar nga hapja e kutive, hyjmë pashmangshmërisht në një fazë të re të aksionit opozitar dhe hapja e kutive, apo më saktë, moshapja e kutive, bëhet një arsye e mjaftueshme për popullin opozitar, që të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme", - iu përgjigj dje Rama interesimit të medias.
Kryetari i opozitës ka theksuar, gjithashtu, se lëvizja popullore e opozitës nuk ka të bëjë as me dhunën dhe as me format e degraduara të revoltës qytetare.
"Kjo është një lëvizje popullore demokratike, është shprehje e vullnetit të lirë të një populli të shumicës dhe njëkohësisht është mishërim i një vetëdije qytetare se ka ardhur koha për të mbrojtur dinjitetin dhe për të mbrojtur njëkohësisht liri dhe të drejta, që janë seriozisht të kërcënuara", - tha Rama.
Ai shtoi gjithashtu se kjo lëvizje e pandalshme deri në realizimin e objektivit të saj për të rivendosur demokracinë në vend, nuk mund të shihet dhe trajtohet si një shprehje e një revolte të paorganizuar.
"Nuk është kështu dhe nuk do të ndodhë kështu. Sali Berisha do të detyrohet të dorëzohet përpara popullit në rast se nuk do t'i hapë popullit rrugë për të parë votën e tij, për të shpëtuar nga zgjedha e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara", - tha ai.
Kryetari i opozitës ka theksuar, gjithashtu, se opozita nuk do të hyjë në Parlament, derisa Parlamenti të rivendoset mbi themelin e legjitimitetit që ka të bëjë direkt me zgjedhjet.
"Kjo shumicë ka zgjedhur të bëjë shurdhrin dhe të propagandojë në mënyrë të përditshme me një gjuhë që bëhet përditë e më vulgare, diçka që është tërësisht e kundërta e kësaj që ne kërkojmë dhe që është tërësisht në konflikt me interesin e shqiptarëve dhe me të demokracisë në Shqipëri.
Është rruga e gabuar pa dyshim, është rruga që zgjedh çdo regjim i korruptuar, që në fund si shprehje finale e degradimit të tij grabit edhe votën duke korruptuar procesin elektoral, është rruga që çon drejt greminës, mazhorancat që nuk e kanë bazën e tyre te vullneti i popullit, por te deformimi i dhunshëm i këtij vullneti, përmes vënies së shtetit në shërbim të pushtetit",- tha ai. Rama shtoi se lëvizja e re popullore për votën është një lëvizje që nuk do të ndalet dhe vala e protestave qytetare do të përhapet në të gjithë Shqipërinë.
"Do të përfshijë që të gjithë, qytetarë, grupe shoqërore, parti politike, komunitete kudo ku janë, në funksion të rikthimit të legjitimitetit të Parlamentit dhe qeverisë në Shqipëri", - tha ai, duke shprehur në të njëjtën kohë keqardhjen për spekulime që bëhen duke aluduar për veprime të dhunshme dhe për rrëzime me dhunë të institucioneve. Sipas tij, afati 10-ditor është fundi i një kapitulli, i një aksioni opozitar dhe fillimi i një kapitulli të ri.
"Është zgjerimi i objektivit me detyrimin e pashmangshëm që në rast se nuk hapen kutitë, qeveria duhet t'i hapë rrugën popullit, që t'i ridrejtohet kutive të votimit dhe me zgjedhje të parakohshme, të përcaktojë me vullnetin e tij të lirë, qeverinë që do", - shtoi ai.