E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaho Mulosmani vishte me rroba policie bandën e Lul Berishës

Autori i Lajmit: Redaksia
Adriatik Coli, bashkëpunëtor i drejtësisë në procesin gjyqësor kundër Bandës së Durrësit, dëshmoi dje në gjykatë mbi marrëdhëniet e këtij grupi kriminal me ish-zyrtarin e komisariatit të Policisë së Tropojës, Jaho Mulosmani, aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në vrasjen e deputetit demokrat, Azem Hajdarit.

Seanca

Në seancën me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, i penduari Adriatik Coli ka thënë se kishte marrë në dorëzim nga njerëz të Jaho Mulosmanit, rroba policie që ishin porositur për anëtarët e bandës së drejtuar nga Lulzim Berisha. Adriatik Coli ka dëshmuar deri tani në Gjykatën e Krimeve të Rënda mbi 9 episode vrasjes dhe 11 tentativa vrasjesh t kryera nga anëtarët e Bandës së Durrësit.

Hetimi

Sipas të dhënave nga hetimi, disa prej këtyre krimeve janë kryer nga njerëz që kishin veshur uniforma policie. Pikërisht në këtë linjë ka dëshmuar dje Adriatik Coli, i cili ka thënë se kapo i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, kishte kontakte me Jaho Mulosmanin, i cili në kohën kur ishte zyrtar i komisariatit të Policisë së Tropojës, deri në vitin 1998, furnizonte me rroba policie të pandehurit. Adriatik Coli ka thënë se ka qenë vetë ai, personi të cilit i janë dorëzuar rrobat shtetërore të porositura nga Lulzim Berisha. Adriatik Coli është vetëdorëzuar tek autoritetet shqiptare të drejtësisë, duke kërkuar mbrojtjen e tyre në këmbim të historive të njërës prej bandave më të përgjakshme në vend. Dëshmia e tij ka mundur të lidhë bashkë dhjetëra ngjarje të ndodhura në Durrës dhe në Tiranë, për të cilat policia nuk kishte dijeni më parë. Duke rënduar edhe situatën e tij ligjore, Coli ka rrëfyer 8 ekzekutimet e kryera nga banda e Durrësit si dhe krimet e tjera të urdhëruara fillimisht nga Lulzim Berisha, deri para ndarjes më dysh të bandës. I penduari Adriatik Coli nuk ka kursyer as përplasjet e mëdha në bandën që u nda në dy grupe rivale, për shkak të pazareve të drogës dhe armëve. Tashmë, Prokurorisë së Krimeve të Rënda i duhet të plotësojë dosjen hetimore edhe me prova të tjera, për të vërtetuar dëshminë e Adriatik Colit.

Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›