E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Gati të ndërhyj për zgjidhjen e ngërçit politik”

Autori i Lajmit: Redaksia
Me fillimin e afatit të vënë nga Partia Socialiste për hapjen e kutive të 28 Qershorit, presidenti Bamir Topi shprehet i gatshëm të ndërhyjë në zgjidhjen e ngërçit politik. Topi ka ofruar asistencën e tij si negociator mes Partisë Socialiste dhe Qeverisë, por shprehet se nuk mund ta luajë një rol të tillë pa vullnetin e partive. “Nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo për të respektuar edhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë edhe median, unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë tek vullneti politik i partive politike”, - tha Presidenti. Kreu i Shtetit ka përsëritur jo rrallë herë thirrjet e tij kundër bojkotit. “Besoj se kam bërë atë pjesë që i takon Presidentit, janë apele, takime me partnerë e faktorë politikë. U takon partive të marrin vendime për të filluar dialogun. Nuk është dialog që fillon në një terren të thatë dhe të paeksploruar. Kjo ka qenë praktikë e pluralizmit në vite, diku janë krijuar ngrica, janë ngrohur këto marrëdhënie. Është pjesë e një spiraleje që do të sjellë një dialog të ri. Është e pamundur që skena politike shqiptare, përtej krizave, të mos ketë dhe dalje nga kriza”, - ka pohuar ai. Lidhur me marrjen e iniciativave konkrete nga ana e tij, ai ka pohuar se nuk e ka bërë një gjë të tillë. “Nuk kam bërë ndonjë iniciativë, sepse duhet të ketë vullnet në radhë të parë për të gjetur mediatorë, sepse mund të gjejnë dhe mediatorë përtej Presidentit. Çështja është se njeriu duhet të jetë koshient për veprimet që bën. Çështja nuk është te vullneti i Presidentit. Edhe në këtë studio del apeli për dialog. Por çështja, në radhë të parë, është predispozicioni. Ka raste kur partitë politike mund ti gjejnë mediatorët dhe brenda tyre dhe në eksperiencën politike këto raste kanë qenë të qarta. Nuk është shumë i rëndësishëm vektori për meditacionin, por vullneti. Deri tani vullneti politik nuk ekziston ose ka doza pamjaftueshmërie”, - ka deklaruar Topi në një intervistë televizive të dhënë pak ditë më parë. Ndërsa ka pranuar ekzistencën e krizës në vendin tonë, ai ka shtuar se kriza të këtij karakteri nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por dhe në ato vende që kanë demokraci afatgjatë të konsoliduar, ku ekzistojnë dhe eksperiencat si mund të dilet nga kriza që është vullneti. “Ka pasur vullnete të tilla, në korrikun e 2008 u realizuan ndryshime rrënjësore për 24 orë. Kjo jep shansin që në këtë rrugë të ketë bashkëpunim. Palët dinë çfarë kërkojnë, dinë çfarë marrin dhe nuk besoj se rregullat në demokraci janë për të fituar vetëm njëra anë, e sigurt që do të dinë të realizojnë negociata”, - ka kujtuar Topi. Por pas acarimit të situatës dhe ultimatumit 10-ditor të Partisë Socialiste duket se Kreu i Shtetit ka kaluar nga niveli deklarativ në ofertë konkrete për të zgjidhur situatën.

Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›