E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaka: Hipotekimi, frymëmarrje për Tiranën

"Ky memorandum mirëkuptimi do sjellë një çlirim dhe frymëmarrje për qytetarin e Tiranës lidhur me autorësinë e pronës së blerë, por të pa certifikuar.

Dhoma e Tregtisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve, kanë rreth një vit që punojnë për një formalizim dhe lehtësim të procedurave në hipotekimin e ndërtimeve me leje, por të pa hipotekuara për mangësi të ndryshme apo procedura të fryra burokratike", kështu u shpreh Kryetari i DHTI-së, Nikolin Jaka.

Sipas tij, po t'i referohemi statistikave të dhëna si nga bashkia, zyra e regjistrimit të pasurive apo Shoqata e Ndërtuesve, përfitimet janë shumë dimensionale.

"Qytetarët mund të implementojnë me sukses nisma apo sipërmarrje të vogla apo të mesme në sektorin privat, duke i konsideruar tashmë pronat e tyre si një potencial kolaterali në marrëdhenie me sistemin bankar të kredidhënies", theksoi Jaka, me tej ai shtoi duke thënë se nëse ata do të posedojnë një hipotekë do të mund të përfitojnë edhe nga ligji për faljen fiskale dhe legalizimin e kapitalit.

Po ashtu, vazhdoi duke thënë se, industria e ndërtimit do mbyllë kalvarin e gjatë të pritjes për procesin e hipotekimit të objekteve të ndërtuara, duke finalizuar edhe mbledhjen e këstit të fundit si dhe pagimin e detyrimeve shtetërore. Jaka bëri të ditur se në funksion të këtij memorandumi, së shpejti DHTI-së dhe Shoqata e Ndërtuesve Tiranë do paraqesin pranë Bashkisë Tiranë propozimet konkrete të specifikuara për implementimin me sukses të këtij memorandumi.

Jaka i kërkoi klasës politike në vend se duhet të gjejnë rrugën e kompromisit që shoqëria e këtij vendi të ketë stabilitet në zhvillimin e ndërtimit dhe të industrisë./L.Ferhati/Start. 

                                                                                             2011-09-24 13:58
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›