E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaka: Roli i femrës në biznes duhet të jetë më i madh

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, nënshkroi dje memorandum bashkëpunimi me Flutura Xhabijen, përfaqësuese e Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare të Shqipërisë. Jaka e vlerësoi këtë bashkëpunim si të një rëndësie të veçantë, jo thjesht në aspektin e interesave të përbashkëta në të bërin biznes, por si një obligim të veçantë të Dhomës në kontributin e vazhdueshëm për promovimin e vlerave intelektuale e profesionale të grave, si dhe në mbështetjen e krijimit të hapësirave të nevojshme për iniciativat e ndërmarra nga ana e tyre, në përfshirjen gjithnjë e më shumë në jetën e biznesit. Duke i qëndruar kësaj linje, Jaka bëri të qartë se Dhoma e Tregtisë shumë shpejt do të dalë me një program të detajuar masash konkrete, i cili sipas tij synon “rritjen graduale të prezencës së femrave në biznese të ndryshme; përmirësimin e raporteve në favor të grave sa i përket përfaqësimit të tyre në institucionet drejtuese të Dhomës, rritjen e numrit të grave në misionet e biznesit brenda dhe jashtë vendit, si dhe përfshirjen gjithnjë e më tepër të ekspertizës së ofruar nga gratë në trajtimin e problematikës që shqetëson sot biznesin vendas”. Xhabija duke vlerësuar bashkëpunimin që ka ekzistuar mes shoqatës që ajo drejton dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në mbështetjen e një sërë iniciativash për biznesin e gruas, u shpreh se “memorandumi i sotëm i vë palët përballë iniciativash të reja dhe kam besim që drejtuesit e Dhomës do të vijojnë të na mbështesin ne si sipërmarrëse femra”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›