Shtohen lindjet e foshnjave me keqformime
Këtë vit, në total, rezulton të kemi më shumë lindje në qytet sesa në fshat. Kjo edhe për shkak se shumica e nënave preferojnë të vijnë në qytet për të kryer lindjet. Sipas të dhënave të raportuara rezulton se shumica e lindjeve në vitin 2009 janë kryer në qytet, në fshat dhe më pas në rreth. Dje, në analizën vjetore të punës, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, kreu i këtij institucioni, Halim Kosova, ka referuar mbi lindjet, diagnozat më të shpeshta të hasura gjatë një viti, si dhe për projektet e vitit 2010. Konkretisht, sipas Kosovës, lindjet premature kanë qenë 26057 bebe, të cilat kanë lindur me infeksione, 44 foshnja kanë lindur me deformime të gjymtyrëve, 37 me anomali të organeve gjenitale. Rreth 26 nëna kanë pasur problemin e rritjes së ngadaltë të fetusit. Sipas analizës ka pasur mbi 100 raste të foshnjave të cilat kanë lindur me probleme të frymëmarrjes, 36 me trauma obstetrikale. Brenda një viti në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” kanë lindur normalisht dhe pa asnjë problem mbi 2500 nëna. Rreth 60 fëmijë kanë humbur jetën një muaj pas lindjes. Numërohen mbi 6 mijë lindje ndërkohë që vdekja amtare është 0.
Rreth 46 për qind e lindjeve kanë ndodhur në qytet ndërkohë që 41 për qind e lindjeve janë regjistruar në fshat. 13 për qind e lindjeve janë regjistruar për rreth.
Rreth 64 për qind, më shumë se gjysma, kanë lindur në mënyrë natyrale, pjesa tjetër ka lindur me operacion.
Sipas drejtorit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, për vitin 2009, ndër investimet më të rëndësishme të kryera renditet vendosja e sistemit të pompave të ujit të pijshëm, sigurimi i furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm. Sistemi i furnizimit me energji elektrike, ndërtimi i kabinës elektrike me fuqi 400 kVA, sistemi i sigurimit të furnizimit me energji elektrike nëpërmjet grupit motor-gjenerator me fuqi 250 kVA.
Ndër investime të tjera renditet ndërtimi dhe vendosja në funksionim të ashensorit 6 vendesh në repartin e obstetrikës si dhe investimet e kryera në fasadën e godinës së repartit të gjinekologjisë.
Në analizën e spitalit “Mbretëresha Geraldinë” ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ndër të tjera ministri nënvizoi: “Nuk mund të bashkëjetojmë me informalitetin. Qoftë për sa i takon njerëzve që i shmangen detyrimeve dhe pagesave dhe përpiqen të përfitojnë nga sistemi nga njëra anë dhe së dyti, por jo më pak e rëndësishme dhe detyrimet tona për të rritur cilësinë e sistemit”. Sipas Vasilit, sot sistemi shëndetësor ka mjekë dhe infermierë mjaft të mirë, të cilët sigurojnë ndërhyrje dhe cilësi shërbimi të lartë.
Rreth 90 për qind e ngarkesës së shërbimit shëndetësor në vend përballohet nga shërbimi publik shëndetësor. “Kjo është meritë e sistemit që e përballon, por dhe detyrimit që ai të shtojë cilësinë. Detyrimi sipas shkallës së hierarkisë fillon nga spitalet universitare dhe shkon deri në nivel parësor. është vendi për të pohuar se kjo lloj rruge reformimi nuk ka për të pasur asnjë gjysmë hapi mbrapa.
#