E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miss Shqipëria: Petri Bozo, vajza me zanat në spektakël

14/06/2005  Më 18 qershor në kalanë e Kaninës në Vlorë do të kurorëzohet mbretëresha e bukurisë shqiptare nën kurorën dhe titullin “Miss Shqipëria 2005”.

Si çdo vit, edhe këtë fillim vere Deliart Assosacion ka zgjedhur një tjetër kala për të zhvilluar konkursin e rradhës. Nga kalaja e Beratit, ku “Miss Shqipëria” u shpall Enkelejda Bargjo, këtë herë në kalanë e Kaninës në Vlorë.

Tashmë puna parapërgatitore ka përfundur. I gjithë stafi është instaluar në muret e mbetura të kësaj kalaje të lashtë për ti dhënë formën që regjisori Petri Bozo ka menduar për spektaklin e këtij viti: ku në qendër të vemendjes do të jenë sigurisht 30 vajzat konkuruese të cilat vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si Kuçova, Fushë-Kruja, Vlorë, Fieri, Kurbini, Korça, Elbasani, Tirana e nga përtej kufijve nga Prishtina, Italia e Gjermania.

E veçanta e këtij viti, mes vajzave konkuruese është se ndyshe nga herët e tjera pjesa më e mirë e tyre janë ndërkaq studente në fakultete të ndryshme: gjejmë mes tyre arkitektë të ardhshme, mjeke, fizioterapiste, violiniste e pianiste. Një prej vajzave është një modele që ka kohe që ushtron këtë profesion në pasarelat e Italisë, ndërsa një inxhiniere arkitekte vjen nga Gjermania.

Sigurisht që duke qene se një prej qëllimeve të këtij spektakli është dhe promovimi i bukurive natyrore të Shqipërisë, i vendeve të lëna në harresë, qëllimi kryesor i Petri Bozos edhe këtë herë është realizimi i disa videoklipeve së bashku me vajzat konkurente. Tashmë kanë përfunduar këto videoklipe ku është fokusuar gjithë bukuria e Vlorës dhe e kalase së saj të lashtë, Kaninës.

Eshte menduar që spektakli këtë vit organizohet shumë pranë detit, vajzat në fillimin e spektaklit të na vijnë në imazhin e marinareve të bukura nën një kostum te stiluar nga Ardi Asllani i cili është dhe stilisti dhe kuratori estetik i këtij spektakli

Ndërkaq një koreografe nga Rusia, Sonya Saichkina ka dite që po punon në vajzat për të ndërtuar gjithë pjesët koreografike të misseve. E bashkë me koreografen ka mbërritur dhe një trupe baleti po nga Rusia që do të jetë pjesë shumë e rëndësishme gjatë gjithë spektaklit.

Të ftuar në këtë natë magjike do të jenë dhe emra të njohur të artit shqiptar si Eranda Libohova, Vikena Kamenica e nga Italia do të vijë edhe Alban Skënderaj djaloshi që tashme ka bërë shumë fansa për vete pas çmimit që mori në festivalin e top Festit. Gjithçka do të zhvillohet në një koregrafi të Fatmir Mingës

Pak histori për kalanë ku do të zhvillohet missi

Eshtë një kala me histori gati 3000 vjeçare. Një tjetër vlerë jo vetëm historike, por dhe arkitektonike, që rivjen në vëmendje. Treva e fiseve të shquara dhe e njerëzve të mëdhenj... e trimit Gjergj Arianitit, e zonjës së zgjuar dhe të hekurt Donika Kastritotit, e princeshës së bukur Rexhina, e pesë kryemisnitrave që drejtuan edhe Perandorinë Osmane, e plakut të mençur Ismail Qemalit... do të rimarrë jetë në këtë epokë të re. Aty në themelet ku prej shekujsh janë mbrujtur legjenda të tëra mbi trimërinë dhe bukurinë, në këtë qershor do të shtohet dhe një legjendë më shumë e sirenave, që do të dalin nga deti i Vlorës, për t’u përjetësuar këtu, në këtë kala.

Janë vetë vlerat ndërtimore, gjurmët arkeologjike, ato që flasin qartë se kjo kala i përket periudhës ilire. Rikonstruksioni i saj është bërë në periudhën bizantine të Justinianit dhe më pas në periudhën osmane. Këtë e tregojnë disa fragmente guri, që sipas studimeve arkeologjike i përkasin pikërisht kësaj epoke dhe stilit të saj. Ajo, që specialistët e Monumenteve të Kulturës kanë cilësuar si më interesanten, është lidhja në vijë të drejtë e kësaj kalaje edhe me fortesa të tjera: nga kjo kala, sheh Kalanë e Kropishtit, nga ajo e Kropishtit sheh kalanë e Amantias. Ato kanë një strukturë ndërtimi të tillë, nga ku luftëtarët e një shteti, apo të një fisi merreshin vesh sa here shfaqej rreziku.

Sot kesaj kalaje i kanë mbetur vetëm fragmente të mureve. Pra është një kala që duhet ribërë. Kanina e luftërave ka pasur edhe një princeshë të bukur, Rexhinën. Ajo ka mbërritur deri në ditët e sotme përmes legjendave, këngëve që i ka thurur populli. Emri i saj është skalitur kudo, si tek çezma e Zonjës mbi Kaninë, tek burimi i Zonjës në Igumenicë, përroi i Rexhinës në Rradhimë, shkëmbi i Zonjës në Llogara... Varri i saj është zbuluar kohët e fundit në Korfuz. Nje tjeter figure e njohur e kanines eshte dhe Donika e bija e Gjergj Arianiti Por asaj do t’i vinte dita ta linte Kaninën e saj të dashur: një trim do ta merrte me vete. Ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Se si bujti ai në konakun e Arianitëve, ku do të shihte për herë të parë Donikën e tij, e rrëfejnë legjendat: Skëndërbeu erdhi nëpërmjet lumit të Vlorës, i shoqëruar nga një hordhi shumë e madhe me kuaj. Kaluan vaun dhe pinë ujë në çezmë, (e cila më pas do të merrte emrin çezma e Skënderbeut).

Deri përpara viteve '90-të, kalaja e Kaninës ka funksionuar si një repart ushtarak. Për këtë të shkuar flasin edhe sot reliket e kazermave të vjetra, kurrizi i të cilave është pjesë e mureve të saj. Muri që ndan kalanë nga fshati, nga pikëpamja gjeologjike ka një shkëputje në formacionin e kodrës, ndërsa muri përballë fshatit Kaninë është i mbuluar nga bimët kacavjerëse, rrënjët e të cilave dëmtojnë këtë mur. Një restaurim i kalasë, i kërkuar prej vjetësh nga specialistët e monumenteve, do të duhej të përfshinte eleminimin e zgavrave në mure dhe në bedenat e kalasë, të vijave rrjedhëse të ujit, plotësimin e gurëve që kanë rënë, etj. Në këtë mënyrë do të mund të parandalohej shkatërrimin total i këtij objekti me rëndësi historike për të gjithë Vlorën .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›