E Hënë, 2 Nëntor 2026

Teknika e Yoga-s për t’u dobësuar

14/06/2005  Ushtrimet dhe teknika e Yoga-s me një ritëm të përshpejtuar dhe të nxehtë të ndihmojnë të djersisësh dhe të djegësh sasi të mëdha kalorish dhe yndyrnash. Ndërkohë që disa teknika të tjera shkojnë edhe më tej. Falë tyre arrin edhe të dobësohesh dhe të ruash linja të bukura trupore.

Yoga punon në një nivel emocional për ta bërë edhe më të lehtë humbjen e peshës dhe heqjen e kileve të tepërta. Shumë vese dhe zakone të këqija udhëhiqen nga emocionet. Duke ju mësuar të përqëndroheni në pjesën tuaj të brendshme, yoga të largon nga shqetësimet e jetës së përditshme dhe të vogla, duke të lejuar të përqëndrohesh në atë që është me të vërtetë e rëndësishme.

Yoga të ndihmon të kuptosh si dhe pse nuk po arrini të merrni veten dhe të ndihmon të evidentosh shkaqet që ju shtyjnë të hani më shumë seç duhet. Me kalimin e kohës dhe zbulimin e teknikave të saj, do të arrini të eksperimentoni një ndjenjë kontrolli mbi jetën tuaj. Do të jeni më të ndërgjegjshëm për ushqimin që konsumoni dhe si duhet të ndjeheni ndaj tij.

Katër lëvizjet që janë baza e teknikës së yoga-s, janë mëse të mjaftueshme për një praktikë të plotë dhe efikase të yoga-s dhe që do t’ju japin një ndjesi të fuqishme se çfarë mund të bëjë kjo filozofi për ju. Ajo që është shumë e rëndësishme është rregullimi i frymëmarrjes.

Para se të nisni nxehni trupin për 5 minuta. Përpiquni të ruani një pozicion për të paktën 5 frymëmarrje, duke numëruar deri në 5 për çdo frymëmarrje dhe deri në 5 për çdo frymënxjerrje. Kur merrni frymë mundohuni që ajo të jetë sa më e thellë dhe të zgjeroni në maksimum vëllimin e kraharorit tuaj. Çdo herë që nxirrni frymën mundohuni që edhe ajo të jetë e thellë.

Gjatë këtij ushtrimi të thjeshtë dëgjoni më vëmendje trupin tuaj, nëse diçka ju dhemb, ndërprisni me qetësi ushtrimin.

1. Pozicioni i karriges

Ky pozicion të ndihmon në gjetjen e ekuilibrit trupor, koordinimin e tij dhe forcimin e rezistencës. Fillimisht qëndroni drejt me krahët e shtrira drejt anash trupit dhe këmbët e bashkuara. Merrni frymë thellë. Gjatë frymëmarrjes përkulni këmbët, tërhiqini vithet pas, sikur të jeni duke u ulur në karrige. Shtrini krahët mbi kokë. Tërhiqni dhe shtrini sa më shumë të mundeni trupin. Qëndroni mbi shputat e këmbës. Qëndroni në këtë pozicion nga 5 deri në 10 frymëmarrje. Më pas kthehuni në pozicionin fillestar.

2. Pozicioni i të mençurit

Ky pozicion ul tension e shtyllës kurrizore. Uluni në tokë duke mbajtur trupin drejt, në një pozicion të rehatshëm dhe me këmbët e kryqëzuara. Merrni frymë thellë duke tërhequr shtyllën kurrizore. Kur të jeni duke nxjerrë frymën kthehuni lehtë në të djathtën tuaj, duke vendosur dorën e majtë mbi gjurin e dhjathtë. Bëjeni këtë ushtrim për 5 deri në 10 frymëmarjje. Kthehuni në pozicionin tuaj fillestar dhe më pas ushtrimin përsëriteni në anën e kundërt.

3. Pozicioni i urës

Ky ushtrim ndihmon në uljen e tensionit trupor dhe përmirëson elasticitetin e trupit. Shtrihuni në tokë me shpinë me këmbët e përthyera, shputat e tyre të vendosura mirë në tokë dhe këmbët pak të hapura. Ngrini vithet lart edhe me ndihmën e krahëve që qëndrojnë të shtrira dhe të palëvizura në tokë, ndërsa pëllëmbat e duarve të jenë të kthyera nga lart. Kur merrni frymë ushtroni forcë në themrat dhe shputat e këmbëve për të ngritur më shumë vithet nga dyshemeja. Krahët mos i lëvizni nga dyshemeja. Bëjeni këtë ushtrim për 5 deri në 10 frymëmarrje. Nxirreni frymën gjatë kohës që jeni duke u ulur.

4. Pozicioni i ulur

Pozicioni i ulur dhe i përkulur përpara ndihmon në qetësimin e mendjes dhe të trupit. Uluni në dysheme me shpinën e përkulur pakëz dhe këmbët e bashkuara të shtrira para jush. Vendosni një litar përreth këmbëve. Përkulni përpara duke shtyrë me ije, dhe jo me fundin e kurrizit.

Mbajeni kraharorin në një pozicion lart, duke u munduar të qëndroni në gjatësinë e kërcinjve, në këtë mënyrë shpatullat tuaja do të arrijnë të çlodhen. Zhvillojeni këtë ushtrim nga 5 deri në 10 frymëmarrje. Kthehuni ngadalë në pozicionin fillestar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›