E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Klubi i zonjave” mënyra moderne e marketingut

13/06/2005  AM grup, krijon “Ladies Club” për të shkëmbyer ide, eksperienca, si dhe vlera kulturore, sociale dhe kombëtare

Një ide e veçantë për të vendosur marrëdhënie mes biznesit, konsumatorit dhe gjithë publikut. Zgjidhja origjinale, drejt një ideje të pa eskperimentuar në vendin tonë, ka të bëjë me “Ladies Club”, një grupim zonjash nga fusha dhe profesione të ndryshme nga e gjithë Shqipëria. Merrnin pjesë Mira Qosja, Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun, artistet Milika Dhamo, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Misi i parë dhe “fytyra” e AM grup, Valbona Selimllari, Djana Kalaja nga Isituti i Medias dhe të tjera gra.

Kurorëzimi i takimit të parë, u bë nën atmosferën e shumë zonjave, ku aktorja Tinka Kurti u bë pjesë e këtij promovimi, duke shtuar alegrinë e takimit të parë, që i ngjante më tepër me një festë të madhe.

Ndërsa misioni i këtij klubi është promovimi, motivimi, inkurajimi dhe mbështetja e antarëve të tij në profesion dhe jetën e tyre të përditshme. Ky klub bën pjesë në projektin më të ri të marrëdhënieve me publikun dhe konsumatorin të kompanive “Deka” dhe “Olim”.

Anëtaret e këtij klubi, do të qëndrojnë së bashku për të ndarë idetë, njohuritë, talentin dhe për të fituar miqësi dhe interesa të reja nëpërmjet network-ut të klubit.

Gjatë prezantimit të këtij projekti, u theksua se klubi do të funksionojë si një projekt me programe të përcaktuara dhe synon të bashkojë zonja nga fusha të ndryshme të jetës, duke i angazhuar në takime të hapura, të cilat do të përmirësojnë lidhjen midis kompanisë, imazhit të saj dhe publikut.

Për një klub aktiv

Duke qenë një ide e re për konsumatorin, ky klub mendohet të shëbejë si një mundësi më shumë për planifikimin dhe realizimin e objektivave sociale të kompanisë, ku gjithashtu synon të ndërtojë prespektivat dhe qëndrimet bazuar në vlerat emocionale, sociale dhe kombëtare të anëtarëve të klubit.

Aktivitetet e këtij klubi, gjatë këtij viti do të përfshijnë debate, seminare njohëse, vizita kulturore në Shqipëri e jashtë saj, të cilat do të programohen në formë sa më tërheqëse për anëtarët e tij.

“Tregu bëhet gjithnjë e më i vështirë, në këto kushte format e marketingut duhet të ndryshojnë, nuk mund të mbetemi në format tradicionale të marketingut”, thotë Mira Qosja, Drjetoresha e Marrdhënieve me Publikun, në AM grup. Ajo shpjegon se ka ardhur koha për të kaluar në atë që quhet marketing njerëzor dhe marketingu më njerëzor arrihet nëpërmjet fjalës.

Fjala duhet përcjellë klient, më klient

“Fjala që përcillet nga njerëzit, që shkon derë më derë, klient më klientë, ky është marketingu më i fuqishëm dhe ky lloj marketingu kërkon kanale të tjera, nuk mjafton reklama, nuk mjaftojnë vetëm billbordet, por duhet të shkosh sa më pranë njerëzve. Natyrisht ne zgjodhëm një hap përpara për të shkuar te klienti ynë fundor. Shkuam atje ku janë tregtarët, të afërmit e tyre, ku janë manaxherët e bizneseve tregëtare, sepse ato janë më afër klientit. Nëse bëjmë mikesha gratë, ne ia kemi arritur qëllimit”, thotë Qosja. Deka dhe Olim janë biznes të fuqishëm e megjithatë ato përpiqen që të gjejnë mënyra të reja për të afruar dhe për t’u afruar me konsumatorin shqiptar. Krijimi i “Klubit të Zonjave”, po aq sa ka mision kulturor, social, thithje idesh është dhe marketing, mënyra më moderne e marketingut kudo në botë. “Eshtë një mënyrë marketingu, një nivel tjetër marketingu, por nuk do të ngeli vetëm si formë marketingu. Ne synojmë dhe do të marrim nisma më të fuqishme, sigurisht në funksion të biznesit”, thotë Qosja.

Biznesi ka nevojë për “mendjen” e gruas

Në fakt, gruaja po hyn gjithnjë e më tepër në fushën e biznesit, me ide, me punën e saj, deri në nivelin e vendimarrjes. Duket se “pushteti”, pra burrat, kanë nevojë për “mendjen” e grave. Qoses i duket një rrjedhojë e natyrshme e këtij fenomeni në Shqipëri.

”Në asnjë vend nuk është lehtë. Ti duhet të hysh me kompetencë, me energji dhe me shumë personalitet, po i pate këto të treja, ke fituar. Do të luftosh, do të luftosh përsëri shumë, sepse ky është ambienti, ky është realiteti dhe kështu është kudo në botë”, thotë Mira Qosja.

Konkurenca zhvillohet nëpërmjet ideve. Të krijosh model të një grupi, që ndihmon biznesin, duket se është i domosdoshëm për modelet këtu.

Nacionalizmi ekonomik

“Lufta në treg bëhet gjithmonë, multinacionalët luftojnë me forma të tjera, ne duhet të luftojmë me produktuin tonë dhe me format tona. Ne duhet të jemi sa më afër njerëzve. Dhe “Ledi Klub” është një mënyrë”, thotë Qosja. Kështu shqiptarët duhet të jenë në majë, duke luftuar në treg me nacionalizmin ekonomik.

“Është normale, është financim shqiptar, është miliona dollarë, miliona xhiro. Është biznes shqiptar, 600 punonjës, dhe vetvetiu ne do të kërkojmë që markat për të cilat kemi investuar për vite të tëra do t’i mbrojmë dhe do t’i mbrojmë me nacionalizëm ekonomik. Është investimi ynë, është investim shqiptar. Deka dhe Olim, janë ndër markat e para të krijuara, ndoshta të vetmet, të krijuara në këto 10 vite”, thotë Qosja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›