Jakshiq i thotë ‘Adios’ Evropës

Pas deklaratave të kancelares gjermane, Angela Merkel, se nëse Serbia dëshiron inkuadrimin në BE duhet të shuaj institucionet paralele në Kosovë, të hënën në veri të Mitrovicës janë prononcuar edhe disa nga udhëheqësit lokalë serbë.
Sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq ka thënë se Serbia ka të drejtë dhe obligim të ndihmojë serbët në Kosovë, e këtë nuk mund ta bëjë nëse i shuan institucionet e saja.
“Institucionet paralele, siç i quajnë ata, janë të vetmet dhe për serbët pasqyrojnë mënyrën e të jetuarit në Kosovë, dhe ky është synimi, dëshira dhe përcaktimi i serbëve. Këto institucione zaten shërbejnë që këtë synim ta realizojnë, dhe Serbia ka të drejtë dhe obligim t’u ndihmojë serbëve këtu, andaj mendoj se ajo nuk mund t’i shuaj institucionet e veta në Kosovë”, tha Ivanoviq.
Ndërkaq, nënkryetari i Bashkësisë së Komunave veriore, Marko Jakshiq tha se nëse për hyrje në BE është kusht shuarja e institucioneve serbe dhe serbët të heqin dorë nga hapësirat shekullore të shtetit të tyre, atëherë Evropës mund t’i themi lamtumirë.
Sipas tij, institucionet serbe e kanë thënë qartë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe nuk duhet assesi të shuhen ato.
“Sa i përket Evropës ne mund t’i themi vetëm adios, sepse nëse duhet që për të ta japim Kosovën, atëherë ajo nuk na duhet”, theksoi Jakshiq, duke shtuar se pushteti serb në Beograd ka forcë që një gjë të tillë t’ia bëjë me dije Evropës./kp/