President gjerman përjashton mundësinë e dorëheqjes

Presidenti gjerman, Christian Wulff, hidhet në ofensivë: Pas kritikës së re për marrëdhëniet me sipërmarrës të pasur, avokatët e tij publikuan një listë udhëtimesh private për pushime, gjatë të cilave ai ka qenë mysafir i miqve të tij afaristë.
Sipas listës, Wulff kaloi gjatë kohës si kryeministër i Saksonisë së Ulët, midis viteve 2003 dhe 2010, gjashtë pushime te shokët, ndër të tjera në Spanjë dhe Itali.
Më parë Wulff qe shprehur për të parën herë në lidhje me një kredi private të diskutueshme duke theksuar, se nuk jep dorëheqje. “Unë jam në gjendje të mbaj përgjegjësinë për atë që kam bërë”, tha Wulff, i cili mban prej vitit 2010 postin më të lartë shtetëror gjerman.
Wulff gjendet në kritikë sepse si kryeministër i Saksonisë së Ulët pati marrë nga një çift sipërmarrës një kredi prej 500 mijë euro dhe këtë me kushte më të favorshme sesa ato të tregut.