Jala, Bode: Prishja e ndërtimeve, me lejen e BB-së
Ministri i Financave, Ridvan Bode, hodhi poshtë dje akuzat e opozitës se po abuzohet me tokat që përfshin projekti i Bankës Botërore. Abuzimi i vetëm, sipas tij, qëndron në interpretimin politik të raportit. Bode deklaroi në Kuvend se Banka Botërore ka qenë në dijeni të prishjes së ndërtimeve pa leje në Jalë, madje kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes. "Ka dokumente të plota që prishja e ndërtimeve pa leje edhe në këtë pjesë të bregdetit që mbulohet me një projekt të Bankës Botërore është bërë në dakordësi dhe me kërkesën e autoriteteve të bankës. Nuk ka qenë nisma e asnjë individi për të prishur ndërtimet pa leje, por ka qenë marrëveshja e bankës që ka detyruar përshpejtimin e prishjes së ndërtimeve pa leje", - tha Bode. Ministri i Financave sqaroi deputetët në seancën e djeshme parlamentare se kontrolli është ngritur dhe ka për qëllim dhe për mision vetëm investigime të procedurave të brendshme të bankës dhe nuk ka për objekt, për kompetencë, për qëllim që të investigojë qeverinë shqiptare. Ministri i Financave, Ridvan Bode, reagoi dje ndaj akuzave të opozitës në lidhje me Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut, të cilat i cilësoi si të pabaza dhe gënjeshtra. Reagimi i ministrit erdhi në Kuvend, gjatë debateve të lira, duke dhënë qëndrimin e tij zyrtar si Guvernator për Shqipërinë në Bankën Botërore. Ai u shpreh se hetimi që po bën banka, nuk ka të bëjë me qeverinë, por me vetë strukturat e bankës. Madje, ai shtoi se nuk po hetohet projekti aktual, apo ai i nisur që në vitin 2004 nga qeveria socialiste. “Ne kemi dokumente dhe në vitin 2004 qeveria socialiste i ka konfirmuar bankës se do të përfundohet prishja e ndërtimeve pa leje. Kjo është e parashikuar në të gjitha dokumentet dhe raportet që keni pasur ju në atë kohë me Bankën Botërore dhe angazhimin tuaj për prishjen e ndërtimeve pa leje. Akuzat për njolla të vendosura nga interesat korruptive, kjo akuzë që përmendet në raport, nuk ka të bëjë me projektin që ka qeveria tani, pasi ka qenë projekti i qeverisë së mëparshme, që e ka këtë akuzë të adresuar dhe për këtë arsye projekti u ridizajnua dhe nuk konsiston në njolla të vëna nga qeveria. Projekti konsiston në përfundimin e studimit dhe në dhënien e kompetencave autoriteteve lokale, për të caktuar njollat e ndërtimeve”, - deklaroi Bode. Më tej, ai foli për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet, duke thënë se asnjë ndërtim nuk është prishur në mënyrë të paligjshme, madje prishjet janë bërë me miratim nga Banka Botërore. Bode shtoi se nuk ka qenë nisma e asnjë individi, siç akuzoi opozita, për të prishur këto ndërtime. “Ka dokumente të plota që prishja e ndërtimeve pa leje edhe në këtë pjesë të bregdetit që mbulohet nga projekti i Bankës Botërore është bërë në dakordësi me kërkesën e autoriteteve të bankës, ndërkohë që prishja e ndërtimeve pa leje në këtë zonë është një detyrim ligjor për shtetin dhe qeverinë shqiptare, sikurse janë të gjitha ndërtimet pa leje e sidomos në zonat turistike. Nuk ka qenë nisma e asnjë individi për të prishur ndërtimet pa leje, por ka qenë marrëveshja e bankës që ka detyruar përshpejtimin e prishjes së ndërtimeve pa leje”, - tha Bode. Ministri i Financave i kujtoi opozitës kërkesat e saj të dy viteve më parë, kur kërkonte në Kuvend miratimin e planit dhe kërkesën për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet. “Duhet ta mbani mend që në vitin 2006 këtu në Parlament opozita ka ngritur zërin përse nuk përshpejtohet përfundimi i projektit të bregdetit, përse qeveria nuk po prish ndërtimet pa leje”, - shtoi Bode. Ministri mbrojti projektin aktual të qeverisë dhe u shpreh i bindur se ky projekt është transparent. Ai tha se Banka Botërore do të japë një konkluzion në datën 19 janar. “Për sa i përket gjithë kësaj zhurme, që nuk ka të bëjë aspak dhe në asnjë rast me qeverinë shqiptare, po ju bëj me dije se shumë shpejt do ta merrni vesh përmes një deklarate të Bankës Botërore se cila është e vërteta e kësaj flluske që ngritët ju dhe në datën 17 ngrihet bordi dhe dy ditë më pas do të lexoni deklaratën e bordit, që do të jetë sigurisht e kundërta e asaj që ju pretendoni”, - përfundoi ministri i Financave, Bode.
Ndërkaq gazeta “standard” ka siguruar përgjigjen e qeverisë dërguar Bankës ndaj disa pjesëve të pasakta të raportit, të cilën do ta botojë nesër.
Box
Disa nga çështjet e projektit
Banka ka “aide memoire” qysh në 2004, që thekson se duhet të vijojnë prishjet e ndërtimeve të paligjshme. Kjo mund të sjellë që banka të bëhet përgjegjëse për gjithë prishjet qysh në 2004.
-Nuk ka qenë veç Jala, por me qindra prishje në 2006 dhe 2007. Shihni bashkëngjitur të dhënat, ndërkohë veç nga Jala ka pasur reagime mesa duket për shkak të afinitetit të disave me zyrat qendrore.
-Plani i prokurimeve i projektit miratohet nga banka. Në këtë rast është përgatitur në 2004 dhe miratuar në qershor 2005. Janë përfshirë pajisje për Policinë Ndërtimore. Nëse tani del dikush dhe thotë nuk duhej të kishte financuar pajisjet, ky është problem i bankës dhe jo i zyrës së koordinimit, siç duan ta paraqesin batakçinjtë.
-Për më tepër ka një tjetër raport “due diligence”, që rrëzon fare gjendjen faktike (askush nuk ka as dokument pronësie, as leje ndërtimi, nuk i përfshin ligji i legalizimeve zonat bregdetare, asnjë ndërtim nuk ishte i vjetër, por të reja dhe disa me betone të freskëta) etj.
Bogdani: Banka Botërore po heton menaxhmentin e saj
Ndërkaq nga drejtues të parkut të Butrintit është mësuar se kanë filluar ndërtime të paligjshme në zonën e tij
Partia Demokratike konsideroi se disa media të dirigjuara nga kreu i PS-së, Edi Rama, vijojnë të shpifin lidhur me hetimin e brendshëm të Bankës Botërore lidhur me zbatimin e projektit Menaxhimi i Integruar i Zonës Bregdetare. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, tha të enjten në një konferencë për shtyp, se "Banka Botërore po heton Menaxhmentin e saj, si dhe debaton mbi politikat e ndjekura prej saj gjatë zbatimit të Projektit Menaxhimi i Integruar i Zonës Bregdetare". Gjithashtu, sipas tij, "Presidenti i Bankës kërkon të hetohet nëse ka pasur fshehje të informacioneve nga vetë stafi i Bankës dhe jo nga qeveria apo njësitë pranë saj, të cilat kanë qenë dhe janë luajalë në raportet me Bankën". Bogdani pohoi se "qeveria e Shqipërisë ka kërkuar që të hetohet dhe roli i mafies së ndërtimit, që boton gazeta nën dirigjimin e Edi Ramës, në stisjen e disa fjalive të rreme në raportin e pavarur që shqyrtonte politikat e Menaxhmentit të Bankës". Sipas tij, "deri tani është provuar që gazetarë të paguar nga firma ndërtimi pranë Edi Ramës kanë stisur artikuj të rremë që përpiqen ta shpërndajnë me shpresën që, duke u ricikluar nga një media tjetër, mund ta bëjë stisjen më të besueshme". Ndërkaq nga drejtues të parkut të Butrintit, është mësuar se kanë filluar ndërtime të paligjshme në zonën e tij të frymëzuar nga qëndrimet e PS-së lidhur me prishjet e ndërtimeve të paligjshme në zonat turistike. Edhe pse ende nuk ka një qëndrim zyrtar të bankës. drejtuesit socialistë po rrezikojnë zonat turistike vetëm për përfitime politike.