Goditet banda e vjedhjes së “Benz”-ave, tre në pranga
Tre persona janë arrestuar dhe 31 makina të llojit “Mercedez Benz” të vjedhura u bllokuan nga policia në një servis në Fushë-Krujë. Uniformat blu kanë arritur që të godasin një bandë të organizuar hajdutësh të makinave, ndërsa ata ishin duke kryer një tjetër vjedhje automjeti. Pas fillimit të hetimeve, Seksioni Kundër Vjedhjes së Automjeteve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, mundësuan zhvillimin me sukses të operacionit të koduar “Anteo”. Në prangat e punonjësve të policisë ranë shtetasit Bukat Ymeri, 42 vjeç, Arjan Zefi, 20 vjeç dhe 27-vjeçari Urim Jella. Sipas burimeve, banda vepronte në një mënyrë të organizuar, ku pasi vidhte automjetet, kryesisht të llojit “Mercedez”, i çonte menjëherë ato në servisin në pronësi të 42-vjeçarit, ku më pas çmontoheshin dhe shiteshin pjesë-pjesë. Ndërkohë që një mënyrë tjetër ishte ndërrimi i shasisë së automjeteve dhe ndryshimi i ngjyrës së tyre, ku pas këtyre ndërhyrjeve, makinat e vjedhura shiteshin sërish në treg. Tre personat e arrestuar janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, ku ata pritet të dalin përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit. Policia po punon për të gjetur persona të tjerë, të cilët mendohet se janë pjesë e këtij grupi.
Arrestimi
Sipas burimeve nga policia, Burim Jella dhe Arjan Zefi ishin duke vjedhur një makinë tip “Mercedez Benz” në rrugën “Mine Peza”. Kanë qenë shërbimet e komisariatit nr. 3 në Tiranë që kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy të rinjve. Nga hetimet e kryera, rezultoi se dy të rinjtë, pasi vidhnin automjetet, i çonin ato në një servis në Fushë-Krujë, ku më pas ato çmontoheshin. U organizua operacioni “Anteo” nga Seksioni Kundër Vjedhjes së Automjeteve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë dhe ku u vu në pranga 42-vjeçari Bukat Ymeri, i cili ishte edhe pronar i servisit. Punonjësit e policisë gjetën edhe 31 automjete të tipit “Mercedez Benz”, pa dokumente, të cilave u ishte ndryshuar numri i shasisë. Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen edhe si autorë të vjedhjes së automjetit tip “Benz 240” në shkurt 2009, në rrugën “Ali Demi”. Ndërkohë, nga strukturat e hetimit të krimit, vazhdon dokumentimi i aktivitetit kriminal, si dhe i lidhjeve shoqërore të tyre. Tre personat e arrestuar akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes”.
Detaj
31 automjete të tipi “Mercedez Benz” pa dokumente, të cilave u ishte ndryshuar numri i shasisë, u gjetën nga punonjësit e policisë në servis
Personat e arrestuar
Bukat Ymeri, 42 vjeç, lindur dhe banues në Kurbin
Arjan Zefi, 20 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laç
Urim Jella, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë
Lezhë, 55 makina të bllokuara pa dokumente të rregullta
Policia e Lezhës, pas operacioneve të kryera, ka sekuestruar 55 automjete, të cilat rezultojnë pa dokumente të rregullta dhe që dyshohet se janë të vjedhura. Sipas burimeve, aksioni ka nisur që në muajin janar dhe do të vazhdojë ende në ditët e ardhshme. Në operacionet e Drejtorisë së Policisë së Lezhë janë vënë në pranga 12 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Po kështu, gjatë këtyre ditëve janë bllokuar 55 automjete për mungesë dokumentacioni. Këto operacione të ndryshme kanë si qellim goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikut të mjeteve motorike e falsifikimit të dokumenteve, në të gjitha rajonet e qarkut Lezhë.