E Diel, 1 Nëntor 2026

Janar-qershor, investimet e huaja 226.7 milionë euro

Fluksi i investimeve të huaja direkte për 6-mujorin e parë të këtij viti ka arritur vlerën e 226.7 milionë eurove. 

Fabiola Çela

Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte kanë pasur një rritje vjetore prej 1.5 herë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, këtë vit Shqipëria pret të ketë një fluks investimesh të huaja direkte më të lartë se vitet e kaluara. Kjo pas nënshkrimit të kontratave me disa kompani të huaja, kryesisht në sektorin e naftës dhe energjisë. Nga ana tjetër, sistemi bankar shqiptar dhe ai financiar, në tërësi, janë bërë atraktive për investitorët e huaj. Ndërkohë pothuajse të gjitha kompanitë e sigurimeve dhe bankat e nivelit të dytë kanë shitur një pjesë të pronësisë ndaj investitorëve ndërkombëtarë.
Huamarrjet
Një faktor i rëndësishëm në rritjen e detyrimeve financiare të qeverisë kanë qenë lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, të cilat i kanë shtuar detyrimet nga huamarrja me 145 milionë euro. Këto detyrime vlerësohen të jenë 2.5 herë më të larta kundrejt një viti më parë, si rrjedhojë e rritjes së huamarrjes nga jashtë nga sektori shtetëror. Qeveria ka hartuar një sërë projektesh të reja, financimi i të cilave kryhet pjesërisht nga fondet e buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër nga kreditë e marra nga jashtë. Aktualisht, me përmirësimin e treguesve fiskalë qeveria shqiptare nuk merr më kredi me terma të butë, por me terma tregtarë.
Ekonomia
Eksportet e prodhimeve vendase kanë pësuar rritje gjatë pjesës së parë të vitit. Por përsëri në raport me importet, fluksi i tyre mbetet i ulët. Kjo ka bërë që të thellohet edhe më shumë hendeku i deficitit tregtar në vend. Sipas të dhënave nga BSH-ja, ritme të larta rritëse janë regjistruar si për eksportet, ashtu edhe për importet, respektivisht 18.6 për qind dhe 17.1 për qind. Deficiti tregtar gjatë këtij gjashtëmujori arriti në 1,2 miliardë euro, ose 16.6 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. “Megjithatë, vërehet një rënie në ritmet e rritjes së deficitit tregtar, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2007 (5. 7 pikë përqindjeje)”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore. Ndërkohë sipas saj, shenja premtuese shfaq dhe eksporti i brendshëm i vendit tonë, i cili ka pësuar një rritje të ndjeshme prej 44 për qind. Ky fenomen është tregues i rëndësishëm i përmirësimit jo vetëm të kapacitetit prodhues të biznesit vendas, por edhe i shfrytëzimit efektiv të përparësive, që vijnë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me rajonin dhe Bashkimin Evropian.

Bien importet nga Serbia
Importet nga partnerët rajonalë kanë pësuar rënie prej rreth 11 për qind gjatë këtij 6-mujori, duke ulur përfaqësinë e këtyre vendeve në totalin e importeve në 13 për qind. Efektin më të ndjeshëm e ka dhënë reduktimi i importeve nga Serbia, si rrjedhojë e zëvendësimit të tyre me mallra me kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë, që vijnë nga vendet e BE-së, si dhe të Lindjes së Largët (Kina).

Marrëveshja e CEFTA-s rrit të ardhurat
Hyrja në fuqi e CEFTA-s në korrik të 2007-ës, ka ndikuar pozitivisht në burimin e të ardhurave nga eksportet tona drejt rajonit. Këto janë rritur me rreth 50 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zënë 14.3 për qind ndaj totalit të eksporteve. Tregtia me Maqedoninë dhe shtetin e ri të Kosovës ka dhënë kontributin kryesor në këtë rritje.

Ja kontratat e mëdha të investimeve

Këtë vit priten të mbyllet procesi i privatizimit për disa kompani të rëndësishme. Përsa i përket privatizimit të kompanisë së përpunimit të naftës ARMO, aktualisht është firmosur kontrata me ofertuesin e shpallur fitues “Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group” dhe ka filluar procedura e miratimeve për bërjen efektive të kësaj kontrate. Po këtë vit do të mbyllet edhe procesi i privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Ndërkohë privatizimi i paketës shtetërore në shoqërinë AMC drejtues të Ministrisë së Ekonomisë kanë thënë se, ky privatizim do të mbyllet brenda vitit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›