E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi fizik, AKKP: Kriteret brenda shtatorit

Grupi i punës i ngritur nga AKKP dhe Ministria e Drejtësisë po punojnë për caktimin e kritereve

TIRANË- Brenda muajit Shtator, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të ketë gati kriteret për kompensimin fizik të pronave. Burime pranë AKKP-së deklaruan dje për gazetën se grupi i punës i ngritur nga kjo agjenci në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, do të përcaktoje edhe kriteret që do të ndiqen për mënyrën e ndarjes së pronave, për ta çuar më pas vendimin në qeveri. Deri më tani, Këshilli i Ministrave ka miratuar tre vendime që lidhen me krijimin e fondit të kompensimit fizik të pronave. Përmes këtyre vendimeve është mësuar se në dispozicion të kompensimit fizik janë parashikuar 72 mijë ha tokë pyjore dhe livadhe të lira, që ose janë në administrim të bashkive dhe komunave, ose janë në procesin e kalimit në përdorim prej tyre. Gjithashtu, 22 objekte që janë në administrim prej ministrive, janë propozuar t’i kalojnë AKKP-së për realizimin e kompensimit të ish-pronarëve. Këtyre u bashkëngjitet dhe fondi prej rreth 20 mijë ha tokë e lirë bujqësore e paraqitur nga Ministria e Bujqësisë. Deri më tani është deklaruar publikisht se në vend janë rreth 130 mijë ha tokë të lira, pa llogaritur në fakt nga kjo sipërfaqe tokat e zëna me ndërtime të paligjshme, tokat e dhëna me qira ose në përdorim të formave të tjera nga bashkitë apo komunat e ndryshme. Krijimi brenda një viti i fondit të kompensimit fizik të pronave është synimi kryesor i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ndërkohë që sipas ish-pronarëve, realizimi i saj është thuajse i pamundur brenda këtij afati kohor. Megjithatë, AKKP duket se do t’i hapë rrugë këtij procesi përmes përcaktimit të kritereve, që do të jetë vetëm fillimi i punës, pasi gjithçka më pas do të varet nga koha se kur do të miratohet në Këshillin e Ministrave. Kjo sepse kriteret për kompensimin financiar të pronave nuk janë miratuar ende nga qeveria, edhe pse AKKP ka që në muajin Shkurt që i ka depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Kompensimi financiar po kalon çdo afat, nisur edhe nga përpjekja e fundit që ministritë po bëjnë për rishikimin e vlerës së tokës, gjë që do të rrezikojë edhe lëvrimin prej 5 milionë dollarësh të fondit te akorduar për këtë vit nga buxheti i shtetit.

N.P

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›