E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Meta patericë e kryeministrit Berisha

PS vijon me reagimin e saj kundrejt qëndrimeve të LSI-së

TIRANË- Sekretarja për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri ka deklaruar dje se qëndrimet e fundit të kryetarit të LSI-së ndaj PS-së po tregojnë se Meta po bëhet patericë e kryeministrit Sali Berisha. “Gjynah që miku ynë Ilir Meta është kundër Berishës me fjalë dhe kundër Partisë Socialiste me veprime. Duke vepruar kështu, kundër bashkimit dhe interesave të qytetarëve të Shqipërisë, që duhet të shpëtojnë nga kthetrat e kësaj qeverie të korruptuar, gënjeshtare e të paaftë, Iliri po bëhet paterica e Sali Berishës. Ne i bëjmë thirrje të ngrihet mbi interesin e vogël personal, e të dalë nga bataku i politikës së vjetër të mllefit, për të mirën e vendit dhe të njerëzve”, tha dje Haxhiymeri. Reagimi i kësaj të fundit erdhi pas daljes publike të zyrtarëve të lartë të LSI-së, të cilët edhe dje kundërshtuan ofertën e PS-së për të pranuar formulën e koalicionit të përbërë, pasi, sipas LSI-së, kjo nuk do të ishte zgjidhja e duhur për të fituar zgjedhjet. Dy ditë më parë ishte Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafa, i cili kërkoi bashkimin e partive të majta me qëllim fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Xhafa deklaroi se kjo ishte një ftesë e sinqertë duke argumentuar edhe njëherë se formula e koalicionit të përbërë nuk mund të kundërshtohet përmes argumenteve që nuk kanë asnjë kuptim juridik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›