E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baroku madhështor

Prelud për një shfaqje të rrallë në Apoloni. Një program krejtësisht me vepra të stilit barok mundëm ta ndjekim në këtë koncert-sprovë, në harmoninë e përsosur të cembalos dhe violës da gamba të dy muzikantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali

Ditën e premte në hollin e Teatrit të Operës dhe të Baletit dy instrumentistë të talentuar, Jusuf Beshiri (Cembalo) dhe Perikli Pite (Viola da gamba) ishin protagonistë të veçantë të një programi me muzikë baroke. Muzikë që është luajtur nga vitet 1600 deri në fillimet e shekullit XVII. Një melodi që transmeton emocione të fuqishme (trashëguar nga stilet paraardhëse muzikore) dhe me një tingëllim madhështor ashtu siç e kishin gjithë artet e Rilindjes karakteristikë. Tek ne pak e njohur është një muzikë e tillë. Vetëm në kuadrin e programeve muzikore të Institutit Italian të Kulturës kemi pasur rastin të dëgjojmë tek-tuk ndonjë vepër të Bach-ut. Po ashtu si dhe pjesë korale po nga ky autor interpretuar nga kori i Berlinit shoqëruar me harpë, mundësuar nga Ambasada Gjermane për artdashësit shqiptarë. Dhe vetëm kaq. Kurse një program të plotë e të larmishëm, krejtësisht me vepra të stilit barok mundëm ta ndjekim në këtë koncert-sprovë, në harmoninë e përsosur të cembalos dhe violës da gamba të dy muzikantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Cembalo, një instrument që ka shërbyer si vegël muzikore në Evropë në fund të shek. XIV dhe viola da gamba, që në përgjithësi i ka të ngjashme parimet e lojës si veglat e tjera me harqe, janë të rralla për kohën e sotme në Europë, aq më tepër në Shqipëri. Prandaj edhe repertori muzikor ishte i veçantë dhe i përzgjedhur. “Sarabanda”, një nga pjesët më tërheqëse të Antoine Forqueray (1672-1745), La Vertigo dhe La marche des Scythes të Royer (1700-1755) ishin interesante për emocionet që ngjallnin te dëgjuesi. Me kureshtjen për të njohur më tepër nga emrat e mëdhenj të barokut u ndoqën dy vepra të kompozitorit gjerman Johan Sebastian Bach. Dhe veçanërisht Sonata III in sol e Carl Philip Emmanuel Bach, klavincembalistit gjerman, djalit të dytë dhe më i famshmi i Bach-ut të madh, drejtuesit të pesë kishave të Hamburgut. Muzikë hyjnore që tingëlloi bukur në hollin e thjeshtë dhe jo fort të përshtatshëm të Teatrit të Operës. Po të mendojmë se sa madhështore do të jetë po kjo shfaqje në qytetin antik të Apolonisë, ku është menduar të jepet si premierë. Pranë ndërtesës së manastirit të Shën-Mërisë, një sfond kishtar kaq i goditur për këtë lloj muzike.

Një gjetje dhe kombinim i veçantë jo vetëm i dy instrumenteve të rrallë muzikorë me një repertor interesant dhe fare pak të njohur, por dhe në një ambient kaq ekzotik, siç është Apolonia, qyteti i lashtë nga më të tërheqësit në botën arkeologjike shqiptare. Zgjedhje më e bukur nuk mund të gjendej me rastin e hapjes së një ekspozite fotografike kushtuar Leon Rey-t, arkeologut francez, që i pari ra në gjurmë të këtij qyteti të rëndësishëm të antikitetit tonë.

Në kuadër të kësaj ekspozite përkujtimore që do të zhvillohet në datën 5 shtator do të marrin pjesë përfaqësues të ndryshëm të institucioneve tona shtetërore dhe tëFrancës. Po një mjedis më të zgjedhur muzikor si ai që do të krijojnë instrumentistët e talentuar Beshiri dhe Pite vështirë se gjendet dot lehtë. Shfaqja e tyre e së premtes në TOB tregoi më së miri se ç’potencial aftësish janë të zotë të shpalosin artistët tanë. Vërtet ata jetojnë e punojnë në Itali, por dëshira dhe dashuria për të kontribuar edhe në vendlindje na bën t’i çmojmë edhe më tepër duke iu uruar suksese të merituara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›