“Ndërprerjet e energjisë elektrike në kryeqytet, nga remontet”
Prej ditësh në disa zona të kryeqytetit energjia elektrike mungon për disa orë gjatë paraditeve. Shkak për këtë janë remontet në nënstacionet elektrike. Në një prononcim për mediat drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), kanë thënë se remontet do të vazhdojnë sipas një programi në të gjithë Tiranën. Sipas tyre, ndërhyrjet janë të domosdoshme për të fuqizuar rrjetin elektrik, me qëllim përballimin e ngarkesave gjatë periudhës së dimrit, periudhë kjo kur kërkesa për energji rritet ndjeshëm. Por nga këto remonte nuk janë prekur zonat turistike të vendit. Zonat bregdetare gjatë gjithë sezonit veror janë furnizuar me energji 24 orë pa ndërprerje. Ndërkohë prej disa ditësh drejtuesit e OSSH-së kanë nisur një aksion për ndërprerjen e energjisë për konsumatorët debitorë. OSSH-ja është në prag të privatizimit ndaj dhe duhet të përmirësojë treguesit, si humbjet dhe arkëtimet. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës, gjatë këtyre 8-muajve ka një pakësim të humbjeve me 3,33 %, si dhe arkëtimet janë rritur me 2,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë me vitin e kaluar. Ndërkohë, gjatë harkut kohor prej 7-muajsh ka një rritje të prodhimit me 29 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E thënë ndryshe, nga 1.782 GWh këtë vit janë prodhuar 2.300 GWh. Përveç kësaj, gjatë kësaj periudhe ka pasur dhe një ulje të importit të energjisë me 13.1 %, si dhe të kufizimeve me 125 %.