E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janari rrit çmimet e ushqimeve më shumë se në dhjetor



Zakonisht janari shoqërohet me një ulje të lehtë të çmimeve, menjëherë pas festave të fundvitit, këtë herë ka ndodhur e kundërta, ato kanë pësuar një rritje të lehtë krahasuar me muajin paraardhës. Rritjen më të lartë e kanë pësuar perimet, ku ndër kryesoret rritje kanë pasur patatet, sallata jeshile, lulelakra dhe domatet. Por ndryshe nga ushqimet, karburantet kanë pasur ulje në janar, ku nafta u ul me rreth 6.8 për qind krahasuar me muajin dhjetor.

INSTAT publikoi dje Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin janar 2009 dhe rezulton se arriti 102.6 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin janar është 2.1 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.0 për qind.

Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 1.5 për qind, me një ndikim prej 0.6 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 13.7 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të lulelakrës me 42.7 për qind, domateve me 39.4 për qind, sallatës jeshile me 37.9 për qind, kastravecëve me 15.5 për qind, spinaqit me 16.9 për qind, specave me 8.0 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një rritje prej 3.8 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të mandarinave me 10.4 për qind, mollëve me 7.6 për qind, dardhave me 5.2 për qind, bananeve me 1.2 për qind. Ndërsa çmimet e disa frutave të tjera pësuan ulje gjatë muajit janar, ku mund të përmendim uljen e çmimit të limonëve me 6.8 për qind dhe portokalleve me 2.9 për qind.

Gjatë muajit janar, çmimet në disa nëngrupe të grupit të ushqimeve shënuan ulje, ku mund të përmendim uljet në nëngrupet “vajra dhe yndyra” 2.5 për qind, “bukë dhe drithëra” 1.3 për qind, “qumësht djathë e vezë”, 0.5 për qind etj.

Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.7 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rritën me 1.1 për qind dhe çmimi i duhanit u rrit me 0.4 për qind. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 1.3 për qind, me një ndikim prej - 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 1.1 për qind, rritje kjo e ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve të shërbimeve mjekësore, paramjekësore e dentare, me 2.7 për qind. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një ulje prej 1.8 për qind. Gjatë muajit janar çmimi i naftës shënoi një ulje prej 8.9 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 6.4 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›