E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN-ja, shuplakë për rritjen ekonomike

Drejtori për Shqipërinë bën prognoza pesimiste për shëndetin ekonomik të Shqipërisë, për 2009-n. "Nuk kapet as 4 përqindëshi"


TIRANË - Ndërkohë që ishin fashitur debatet mbi pritshmëritë ekonomike në vend, vetë drejtori i zyrës së FMN-së në vendin tonë, shprehet se rritja ekonomike për vitin 2009, do të jetë më e ulët se 3.5 apo 4 për qind, sa ishte parashikuar nga këta të fundit. "Në nëntor thamë se rritja ekonomike për vitin 2009 do të ishte 3. 5 apo 4 për qind. Tani na duhet ta ulim këtë shifër shumë më tepër, për shkak se ekonomia botërore është përkeqësuar shumë muajt e fundit".

Pakësimi i të ardhurave nga emigrantët dhe ulja e eksporteve janë disa nga efektet e para që po ndjen Shqipëria. Niveli i eksporteve, që jo më larg se nëntori i vitit të kaluar ishte në shifrat e 15 përqindëshit, tani është negativ, një dukuri e paparë ndonjëherë më parë për mbarë rajonin. Krahas dukurive të mësipërme, kreu FMN-së për Shqipërinë, rendit edhe sistemin bankar në fushat që mund të hasen me probleme në këtë periudhë. Sipas tij, kreditimi i pamjaftueshëm i ekonomisë mund të sjellë edhe më shumë probleme.
"Ulja e ndjeshme e kreditimit apo shtrëngimi i kreditimit që po ndodh tani, është serioz. Ulja e aktivitetit ekonomik mund të sjellë pakësim të mëtejshëm të grumbullimit të taksave. Janë këto dy aspekte të tjera që po i shohim dhe i kemi identifikuar si rreziqe". Ndërhyrjen më të fundit në treg, të cilësuar si të vonuar të Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit, zyrtari i FMN-së e justifikon me pritjen për t'u rivendosur normaliteti në sistemin financiar.

"Pas ngjarjeve të tetorit, kishte një farë hezitimi nga ana e depozituesve shqiptarë, nëse do t'i mbanin kursimet e tyre në bankë dhe, në fakt, disa i tërhoqën. Banka e Shqipërisë veproi kur u stabilizua besimi. Por a do të jetë e mjaftueshme ajo për të nxitur kreditimin? "Do të na duhet të presim", - shprehet ai, duke bërë të ditur se efektet e krizës ekonomike globale kanë nisur të shfaqen në Shqipëri dhe do të vazhdojnë të thellohen gjatë muajve në vijim. Në një situatë të tillë, me vënien e kushtëzimeve për shpenzimet buxhetore në varësi të realizimit të të ardhurave, duket se qeveria po merr parasysh këshillat e FMN-së për përballimin e situatës. Në lidhje me këtë, Bell shprehet se, politikat monetare do të jenë instrumentet e vetëm, me të cilat qeveria pritet të veprojë ndaj efekteve të krizës, pasi ajo nuk mund të përballojë një stimulim të ekonomisë përmes shkurtimit të taksave.

"Nuk mendoj se qeveria ka hapësirë për të bërë shkurtim taksash. Mbështetja që qeveria mund të japë tani për ekonominë, është të jetë në gjendje të funksionojë pa probleme. Qeveria ka rënë dakord të shkurtojë deficitin buxhetor nën 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe nuk mund ta shtojë deficitin me shkurtimin e taksave", - shprehet ai.

Ndikuar edhe nga situata në fjalë, FMN-ja vazhdon të jetë kritike për menaxhimin e KESH-it dhe shprehet kundër një subvencionimi nga ana e qeverisë, ndërkohë që të ardhurat nga taksat janë të pakta, ndërsa shpenzimet të kufizuara. Gjithashtu, ajo vazhdon të insistojë në rritjen e çmimit të energjisë, për të ulur sadopak shpenzimet nga buxheti i shtetit.


"Një aspekt mjaft negativ është se, në një kohë kur u përmirësuan grumbullimet e faturave nga familjet dhe bizneset, ato nga institucionet publike nuk u përmirësuan aspak. Nëse qeveria nuk grumbullon dot faturat e veta, ka diçka që s'shkon. Në anën e prodhimit, tarifat e shitjeve me shumicë janë shumë të ulëta krahasuar me koston. Kjo situatë do të kërkojë përsëri subvencione dhe do të rëndojë buxhetin", - shprehet ai. Gjatë një konference për shtyp, në prani të ministrit të Financave, në nëntor 2008, në cilësinë e drejtorit të zyrës së FMN-së për Shqipërinë, Geruin Bell kishte deklaruar se Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke marrë parasysh edhe zhvillimet ekonomike botërore, parashikonte që Shqipëria të kishte një rritje ekonomike në shifrat 4 për qind.
Marrë nga Zëri i Amerikës


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›