E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vetëvendosja” - lëvizje apo parti politike?!



Nga Shkëlzen Gashi

Të shumta kanë qenë arsyet pse në qershor të vitit 2005 lëvizja “Vetëvendosje!” u themelua jo si parti politike, por si lëvizje politike. Por, ndër kryesoret ishte fakti se Kosova qeveriset në bazë të Rezolutës 1244 të KS-së të OKB-së, e cila e garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë (tash Serbisë) mbi Kosovën. Nuk duam të regjistrohemi si parti politike, sepse atëherë a priori e pranojmë Rezolutën 1244, domethënë se e njohim formalisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë/Serbisë mbi Kosovën. Një tjetër arsye e fortë ka qenë fakti se Kosova nuk udhëhiqet nga Institucionet e Përkohshme për Vetëqeverisje (IPVQ). Sovranitetin formal mbi Kosovën e ka Jugosllavia/Serbia, kurse sovranitetin faktik e ka Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara (UNMIK). UNMIK-u, në njërën anë, është administratë antidemokratike, kurse, në anën tjetër, administratë kolonialiste. Lufta për pushtetin e IPVQ-ve është luftë për pushtet fiktiv. Kosova në këtë gjendje nuk ka nevojë për parti politike, e aq më pak për parti politike që pranojnë negociata me Serbinë për statusin politik të Kosovës. Kosova ka nevojë për një lëvizje dekolonizuese, që e realizon Vetëvendosjen e brendshme dhe të jashtme për Kosovën përmes referendumit gjithëpopullor. Pas gati tre vjetësh të negociatave me Serbinë nga ana e Institucioneve të Përkohshme për Vetëqeverisje (IPVQ) dhe kundërshtimeve të këtyre negociatave nga ana e lëvizjes “Vetëvendosje!”, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës e shpalli Deklaratën e Pavarësisë, duke e marrë për bazë propozimin gjithëpërfshirës për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe Rezolutën 1244 të KS-së të OKB-së. Edhe përkundër kësaj shpalljeje, UNMIK-u vazhdon të mbetet në Kosovë, edhe pse me mandat të rikonfiguruar, kurse institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të kontrolluara nga mekanizmat ndërkombëtarë (tash EULEX-i dhe ICO), të cilët kanë pushtet ekzekutiv mbi to. Po ashtu, pothuajse 1/3 e territorit të Kosovës është sërish e kontrolluar nga strukturat paralele të Beogradit, të cilat tani janë edhe më të organizuara. Me pak fjalë, Kosova pas 17 shkurtit 2008 ka ndryshuar simbolikisht, por duket se me të edhe lëvizja “Vetëvendosje!” ka ndryshuar vetëm simbolikisht. Kjo, për arsyen se po i mënjanuam dy demonstratat kundër gjashtë pikave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, kundërshtimet e kësaj lëvizjeje mbeten të vagëta dhe thuaja pa ndonjë efekt të ndjeshëm. Për mendimin tim, do të ishte e udhës që lëvizja “Vetëvendosje!” të ndryshonte radikalisht; kjo jo vetëm pse ndryshimi simbolik që Kosova ka bërë më 17 shkurt 2008 është përjetuar si ndryshim radikal, por edhe për arsyen se kundërshtimi në mënyrë jashtinstitucionale i proceseve negative për Kosovën nuk po rezulton i suksesshëm. Prandaj, kjo lëvizje - gjithnjë sipas mendimit tim - do të përfitonte sikur të shndërrohej në parti politike. “Vetëvendosje!” është shpresa më e mirë për qytetarët e Kosovës. Aktivistët e “Vetëvendosje!”-s kanë dëshmuar se refuzojnë kategorikisht të korruptohen dhe të jenë servilë që ekzekutojnë ç’u diktojnë të tjerët. Paralajmërimi për shndërrim të “Vetëvendosje!”-s nga lëvizje në parti politike do të ishte mirë të bëhej para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilat supozohet të organizohen në fund të këtij viti, përkatësisht në fillim të vitit të ardhshëm. Këtë paralajmërim do të ishte mirë që lëvizja Vetëvendosje! ta bënte së bashku me njoftimin se nuk do të hyjë në zgjedhjet lokale dhe se gjatë fushatës elektorale do t`i bindë edhe më fort qytetarët e Kosovës se gara mes "partive politike" ekzistuese s`është veçse një garë ndërmjet strukturave konkurruese kriminale. “Vetëvendosja” do të duhej me guxim t`i demaskonte hajnitë e pozitës në krye me Hashim Thaçin, por edhe të fashitë çdo iluzion te qytetarët e Kosovës se opozita në krye me Ramush Haradinajn përbën ndonjë shpresë të së ardhmes, kur dihet mirëfilli se ajo është po aq e korruptuar sa edhe pozita. Do të ishte e udhës, po ashtu, që të vihet në pah pasuria e këtyre ‘politikanëve’ para se të futeshin në politikë dhe pasuria që kanë tani, por edhe dëmi që këta politikanë i kanë bërë Kosovës meqë kanë qenë dhe janë të korruptuar e për rrjedhojë të shantazhueshëm dhe të shantazhuar. “Vetëvendosja” do të bënte mirë sikur t’i niste përgatitjet, të mblidhte rreth vetes edhe shumë njerëz që aktualisht nuk janë në radhët e saj, për t’u transformuar kësisoj në parti politike - parti që angazhohet për barazi sociale - e të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen në vitin 2011. Qoftë e ditur se “Vetëvendosja” do ta ketë shumë të vështirë garën në këtë skenë politike, sepse për konkurrentë do të ketë struktura kriminale që zotërojnë fonde të bollshme parash, të vjedhura prej taksapaguesve kosovarë. Mirëpo, këtë unë e shoh si alternativën e vetme që “Vetëvendosja” të arrijë t`i jetësojë idetë e saj politike dhe t`i pengojë kriminelët e veshur me petkun e politikanit që Kosovën ta shndërrojnë në një vend qind për qind mafioz.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›