Janë ekstraduar sot tre të kërkuar nga policia

Tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare për krime si "vjedhje me dhunë" dhe "shfrytëzim prostitucioni", u ekstraduan sot nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, bënë të ditur burime zyrtare nga Policia e Shtetit. Nga Kanadaja u ekstradua shtetasi Leonard Mehmeti, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Vlorës në vitin 2003 e kishte dënuar me 12 vjet heqje lirie për veprën penale “vjedhje me armë” e kryer në bashkëpunim.
Ndërsa nga Italia u ekstradua shtetasi Edmont Etemaj, i dënuar në vitin 2004 me 9 vjet burg nga Gjykata e Beratit për shfrytëzim prostitucioni dhe Përparim Sina, i dënuar në vitin 1998 me 6 vjet burg nga Gjykata e Rrethit Durrës, për "vjedhje me dhunë". Personat e lartëpërmendur u arrestuan dhe më pas u ekstraduan në Shqipëri, në sajë të bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe homologeve të saj në Kanada dhe Itali.
...