E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq në të gjithë vendin

Reshjet e dëborës, që kanë përfshirë qarkun e Shkodrës gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme, nuk kanë krijuar bllokime të akseve rrugore, ndërkohë që qarkullimi në diza zona është i mundur vetëm me zinxhir.  Përgjegjësi i sektorit të emergjencës pranë Prefekturës së qarkut Shkodër, Pëllumb Dani,  tha se "gjatë natës së djeshme në lartësitë mbi 300 metra mbi nivelin e detit ka rënë dëborë, shtresa e së cilës ka bërë që lëvizja e mjeteve në akset rrugore Qafë Çelë- Pukë, Qafë Mali- Qafë Shllak dhe Qafë Mali - Fierzë, të jetë e mundur vetëm me zinxhirë".  Sipas tij, në Qafë Mali të rrethit të Pukës, në Qafë Bordolec të rrethit Malësisë së Madhe dhe në Malin e Shoshit në Dukagjin ka rreth 30 centimetër dëborë, ndërkohë që reshjet në këto zona po vazhdojnë ende. "Shërbimet rrugore të Drejtorisë së Policisë qarkut Shkodër ndodhen në këto zona problematike, duke bërë të mundur kështu kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit në këto akse rrugore si dhe për t'u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve për të shmangur çdo lloj aksidenti", nënvizoi Dani, duke shtuar se mjetet borëpastruese vazhdojnë punën për mbajtjen e rrugëve të hapura.  Në zonat malore të qarkut të Shkodrës vazhdojnë ende reshjet e dëborës, ndërkohë që në zonat fushore gjatë të orëve të paradrekës së sotme ka patur reshje të dendura, të cilat në disa zona periferike të qytetit dhe në fushën e nënShkodrës kanë krijuar probleme të vogla.

Qafa e Llogarasë e kalueshme për automjetet

Qarkullimi i automjeteve në Qafën e Llogorasë, 40 km në jug të qytetit të Vlorës, është normalizuar si rrjedhojë e pastrimit të dëborës nga rruga. "Prej disa orësh qarkullimi në këtë segment rrugor është normalizuar si rrjedhojë e masave që janë marrë për pastrimin e dëborës nga Ndërmarrja Rajonale e Rrugëve", tha drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Saimir Haxhiu.  Sipas tij, në bashkëpunim me firmën "Spartak", është arritur të pastrohet rruga nga shtresa e dëborës, që arriti në rreth 30 centimetra dhe aktualisht qarkullimi është normalizuar. "Në Qafën e Llogorasë automjetet mund të qarkullojnë edhe pa zinxhirë, ndërsa mjetet e Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve dhe të firmës "Spartak" vazhdojnë të jenë në këtë zonë, duke mos lejuar bllokimin e rrugës dhe duke hedhur në të kripë dhe skorje", nënvizoi Haxhiu. Reshjet e dëborës, që ranë gjatë gjithë natës, duke u gdhirë sot, krijuan një situatë shqetësuese në orët e para të mëngjesit. Por, gjendja u normalizua brenda një kohe relativisht të shkurtër. Ndërkohë, aktualisht në këtë zonë me lartësi 1050 metra mbi nivelin e detit, kanë nisur sërish reshjet e dëborës, të shoqëruara me erë të fortë dhe mjegull të dendur, gjë që e ka vështirësuar qarkullimin. Në këto kushte, mjetet po qëndrojnë në gatishmëri, ndërsa policia rrugore po mban nën kontroll të gjithë gjatësinë e rrugës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›