Janë ende 90 ditë kampionate por Europa po njeh kampionët!
Nga Spanja në Angli, nga Gjermania në Francë, skuadrat kryesuese kanë krijuar një hendek të konsiderueshëm me ekipet ndjekëse
Muaji prill dhe fillimi i majit do të jetë shumë vendimtar për dia prej kampionateve më të mëdhenj të Kontinentit të Vjetër, teksa mund të vulosë përpara kohe fatet e shumë prej tyre. Kështu, në Angli, Mançester Junajtid ka bërë një hap të madh përpara pas fitores me përmbysje kundër Uest Hem, pasi dy ndjekësit më të afërt, Arsenal dhe Çelsi janë frenuar në barazimet me Blekburnin 0-0 dhe Stoken 1-1, çka i ka lejuar djemtë e Fergusonit të marrin dhe dy pikë të tjera avantazh në pritje të përballjeve të nxehta pikërisht me këto dy formacione. Në fillim Arsenali më 30 prill dhe një javë më pas Çelsi. Nëse për blutë e Londrës titulli mund të quhet i arkivuar, për “topçinjtë” ai është tërësisht i mundur, edhe pse 7 pikët diferencë me Mançesterin duken shumë, duhet llogaritur që Arsenali ka një ndeshje më pak sesa “djajtë e kuq” dhe në rast fitoreje, diferenca do të ngushtohej në -4. Por përpara se të ndeshet me Mançesterin, Arsenali duhet të përballjë Liverpulin në “Emirates”, në një nga ato ndeshje ku nuk njihet fjala “tolerim”.
Në Serie A, triumfi i fundit i Milanit në derbin kundër Interit, i cilësuar dhe si derbi-titull, ka bërë të mundur që diferenca mes ekipeve milaneze të shkojë në 5 pikë, por mes tyre është futur Napoli, që dje ka mposhtr Lacio. Skuadra e Maxarrit ka 2 pikë më shumë sesa Interi dhe 3 më pak se Milani. Por si paraqitet kalendari për këto tre skuadra? Milani kryesues do të udhëtojë në Firence e më pas do të presë Sampdorian, për të shkuar më pas në Breshia. E katërta në radhë është sfida në “San Siro” kundër Bolonjës pa llogaritur supersfidën me Romën. Ndërsa e mbyll me Udinezen. Interi dhe Napoli duket se kanë përballje më të lehta, por shumë vendimtare do të jetë pikërisht “xingu” mes tyre në javën e parafundit të Serie A. Por deri atëherë, për Interin sfida të forta mund të quhet ajo kundër Fiorentinës në “San Siro” dhe Lacios po në “San Siro”.
Më ndryshe situatat në Bundesliga dhe Primera Divison. Në Gjermani Borusia me 7 pikët e saj avantazh duket se pret e qetë sfidat e fundit, që nuk do ta vënë përballë asnjë emri të madh që pretendon. Hamburgu nuk është më emri i dikurshëm dhe kërcënimi i vetëm për Borusuan vjen nga ekipet që luftojnë për mbijetesë. Krejt ndryshe situata për ndjekësin më të afërt të Dortmundit, Leverkusenin, që përveç përplasjes me Bajernin, do t’i duhet të ndeshet dhe me Hofenheimin dhe Hamburgun.
Në Spanjë, Barcelona dhe 8 pikët diferencë me Realin e kanë bërë punën e tyre. Praktikisht të gjithë e ndjejnë se do të jenë katalanasit ata që do të triumfojnë në La Liga, ndonëse do të luhet përballja direkte në “Bernabeu” më 17 prill. Barcelona e ka kalendarin më të lehtë sesa madrilenët, të cilët do të duhet të ndeshen me Seviljen në transfertë, Valencian e Vilarealin po në tranfertë. Praktikisht, edhe këtu titulli kampion duket si një kapitull i mbyllur.
Premier League
Skuadra N F B H Gol P
1) Man UTD 31 19 9 3 68-32 66
2) Arsenal 30 17 8 5 59-29 59
3) Man Siti 31 16 8 7 50-27 56
4) Çelsi 30 16 7 7 54-25 55
Primera Division
Skuadra N F B H Gol P
1) Barcelona 30 26 3 1 82-15 81
2) Reali 30 23 4 3 69-22 73
3)Valencia 30 17 6 7 46-35 57
4)Vilarreal 30 16 6 8 48-31 54
Bundesliga
Skuadra N F B H Gol P
1) Borusia 28 20 5 3 58-17 65
2) Leverkusen 28 17 7 4 57-34 58
3) Bajern 28 15 6 7 60-34 51
4) Hanover 28 16 2 10 40-40 50
Serie A
Skuadra N F B H Gol P
1) Milan 31 19 8 4 54-22 65
2) Napoli 31 19 5 7 50-30 62
3) Inter 31 18 6 7 56-35 60
4) Udineze 31 17 5 9 56-32 56