Mançini: Baloteli do të shpërthejë në Angli
Menaxheri i Mançester Sitit, Roberto Mançini ka insistuar se nuk pendohet për transferimin e Mario Balotelit dhe i ka kërkuar të qëndrojë larg telasheve të tjera. Sulmuesi italian ka qenë në qendër të vëmendjes prej transferimit nga Interi gjatë verës së vitit të kaluar për 24 milionë stërliba. Ai ka qenë i përfshirë në një kacafytje me bashkëlojtarin Xherom Boateng, është përjashtuar dy herë, ndërsa së fundmi në shaka kishte hedhur një shigjetë të pikados ndaj një futbollisti të skuadrës së të rinjve. Mançini thekson se Baloteli duhet t’i shmanget qëndrimit në qendër të vëmendjes për gjëra negative. “Sjellja e tij për të ardhmen do të jetë e mirë. Nuk pendohem për transferimin e tij. Ai është 20 vjeç, andaj është normale që sjelljet e tij nuk janë të mira. E kuptoj këtë situatë. Të luajë këtu është përvojë fantastike për të. Ai ka filluar në 15 ndeshje dhe shënoi 10 gola. Por, duhet të përmirësojë sjelljen e tij”, tha Mançini për Sky Sports Neës. “Tani, çdo gjë që bën Mario, është lajm. Nëse shkon në një restorant dhe bisedon me një femër, do të paraqiten pesë të tjera që thonë se kanë biseduar me të. Unë kam biseduar me lojtarin. Çfarë i kam thënë, mbetet private, por shpresoj se mund të ndryshojë sjelljen e tij”, përfundoi Mançini.
Siti shpartallon Sandërlendin 5-0
Mançester Siti ka regjistruar fitore të thellë, 5-0, kundër Sandërlendit për t’u ngjitur në vendin e tretë në tabelë. “Pasanikët” e filluan furishëm takimin duke shënuar dy gola në pjesën e parë, me anë të Adam Xhonson (9’) dhe Karlos Tevez nga pika e bardhë (15’). Edhe në pjesën e dytë ishin vendasit ata që diktuan takimin duke shënuar edhe tre gola, ndërsa realizues ishin David Silva (63’), Patrik Vieira (67’) dhe Jaja Ture (73’). Pas kësaj fitoreje, Siti ka 56 pikë, dhe mban pozitën e tretë me një pikë përpara Çelsit (në vend të katërt) dhe tre pikë prapa Arsenalit (në vend të dytë)