E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të masakruar dhe të harruar

Me çlirimin filloi gjakderdhja: Në vitin 1962, Franca e “lëshoi” në pavarësi ish-koloninë e saj, Algjerinë. Ishte ky fillimi i gjuetisë së pamëshirshme kundër të gjithë atyre algjerianëve, të cilët kishin shërbyer në ushtrinë e pushtuesit. Me dhjetëra mijëra njerëz u vranë, përderisa qeveria franceze vetëm shikonte, pa ndërmarrë asgjë.

Kishte tri ditë që atdheu i tij më në fund ishte i lirë, zyrtarisht i liruar nga kthetrat e fuqisë kolonialiste, Francës, pas 132 viteve të shtypjes dhe të shfrytëzimit.

Por Serge Carel në këtë 8 korrik të vitit 1962 nuk kishte kohë që t’i gëzohej kësaj kthese historike.

Në vend të kësaj, ai tentonte të shpëtonte jetën e tij. Sa më larg prej katër meshkujve, të armatosur me pushkë automatike. “Gjuaj, gjuaj”, dëgjoi ai duke thirrur njërin prej tyre, por Carel ja arriti që me kohë të përzihet në mesin e kalimtarëve tjerë në qendër të Tizio Ouzounit, qytet ky në veri të Algjerisë.

Por ende nuk kishte shpëtuar. Ndjekësit e tij kishin bllokuar rrugët e qytetit. Në panik, ai tentoi që të arratisej me taksi. Pikën e parë të kontrollit arriti ta kaloi, por ai u kap në pikën e dytë, me ç’rast u arrestua, për t’u torturuar më vonë.

Atij ju pre një pjesë e gjuhës dhe çdo ditë, ai ekspozohej para popullatës, për t’u poshtëruar publikisht.

“Çdo ditë më prezantonin para popullatës. Vinin nga të gjitha anët, për të më pështyrë, për të më rrahur, për të më qëlluar me gurë”, rrëfen ai.

Në turmë kishte parë shumë njerëz të njohur, njerëz të cilët dikur e pëlqenin.

Por kohërat kishin ndryshuar në mënyrë radikale. Algjeria ishte e lirë, Fronti për Çlirimin Kombëtarë (FLN), me ndihmën e vrasjeve, atentateve me bomba dhe terrorit të vazhdueshëm kishte arritur qëllimin e vet, ndërsa Serge Carel ishte në mesin e humbësve: Ngase ai ishte një Harki, algjerianë të cilët ishin rreshtuar përkrah ushtrisë franceze. Dhe këta njerëzit nga FLN-ja konsideroheshin tradhtarë.

Algjeria e re, e cila ende po e kremtonte pavarësinë, u zhyt në gjak, pasi që pjesëtarët e FLN-së filluan të gjymtojnë, të torturojnë dhe të masakrojnë Harkit. Pas tetë viteve luftë, ushtria franceze shumë shpejt dhe befas u tërhoq nga Algjeria në vitin 1962, duke i çarmatosur ndihmësit e vet algjerianë dhe duke i lënë ata në fatin e mëshirës. Në këtë moment edhe filloi një prej vrasjeve më të mëdha masive pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Franca vetëm shikonte pa ndërmarrë asgjë, se si u vranë me dhjetëra mijëra njerëz, të cilët kishin ndihmuar ushtrinë franceze.

“Kurrë nuk do të fal vendin tim, i cili na tradhtoi dhe na la vetëm”, thotë Brahim Sadouni 50 vjet më vonë. Ai thotë se kurrë nuk e ka dashur luftën dhe se kurrë nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe. Megjithatë, jeta e tij doli plotësisht nga binarët dhe për këtë ai e fajëson Francën.

Sadouni kishte 17 vjet kur u bë Harki. Jo nga bindja, siç thotë ai, por për arsye se nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër. Babai i tij kishte ca vite që punonte në Francë, nëna e tij ishte e pashkollë, ndërsa ai vetë e mësoi zanatin e mekanikut. Familja ishte tejet e varfër.

“Vetëm me këtë zanat, nuk ke asnjë mundësi në luftë”, i tha atij në vitin 1960 një oficer francez. “Të duhet një armë”. Ushtria franceze i ofroi atij siguri, si dhe një pagë të vogël, por të përhershme.

Lufta në Algjeri kishte gjashtë vjet që kishte filluar, luftë kjo të cilën Franca nuk e kishte nën kontroll, përkundër ushtrisë së saj të fuqishme. Një luftë e pashpallur, të cilën Parisi e minimizonte si “masë për ruajtjen e rregullit publik”, ngase e konsideronte Algjerinë si pjesë të Francës. Pjesëtarët e FLN-së nuk sulmonin vetëm ushtarët francezë dhe kolonët, por vritnin edhe algjerianët, të cilët i konsideronin si kundërshtarë politik.

Brahim Sadouni thotë se në këtë luftë nuk kishte vend për të qenë neutral. Ose Harki, ose FLN. Në fshatin e tij të lindjes, Arris, pjesa më e madhe e banorëve ishin me francezët. Ai nuk mund të paramendonte një Algjeri pa Francën, pasi kishte ndjekur mësimet në gjuhën franceze në një shkollë, në të cilën çdo ditë ngrihej flamuri francez.

Pra u bë Harki. Sot ai e ndien vetën të tradhtuar.

“Si i lindi ushtrisë franceze ideja që të rekrutojë adoleshentë? Ky është krim, ne ishim mish për topa, nuk kishim asnjë njohuri për këtë luftë”, thotë Sadouni.

Ishte i madh numri i algjerianëve, të cilët përjetuan fatin e tij. Disa algjerianë ju bashkuan me dëshirë forcave franceze, pasi që anëtarët e familjeve të tyre ishin vrarë nga pjesëtarët e FLN-së. Por numri më i madh i Harkive bënë atë, që kishte bërë klani i tyre. Ata ju bashkuan francezëve, ngase ishin të bindur se i ishin bashkuar fituesve. Harkit kurrë nuk e kishin paramenduar mundësinë e tërheqjes së francezëve.

Megjithatë, Harkit përjetuan një shok të madh, kur më 19 mars të vitit 1962 presidenti Charles de Gaulle nënshkroi marrëveshjen për armëpushim me FLN-në. Në korrik të vitit 1962, ishte paraparë të zhvillohej referendumi për pavarësi. Menjëherë pas marrëveshjes për armëpushim, francezët filluan çarmatosjen e Harkive.

De Gaulle e kishte parashikuar hakmarrjen e fituesve.

“Nëse ushtria franceze tërhiqet, do të kemi një gjakderdhje”, kishte deklaruar De Gaulle qysh në vitin 1959. Por pas marrëveshjes për armëpushim, ai nuk lejoi ndërhyrjen e oficerëve të tij, për të mos e rrezikuar paqen e brishtë. Qetësia mbretëroi një kohë të shkurtë pas nënshkrimit të marrëveshjes për armëpushim. Por kah fundi i korrikut të vitit 1962 filluan të arrijnë informatat për masakrat në Algjeri.

Sipas disa vlerësimeve, gjatë kësaj fushate janë vrarë mbi 150 mijë Harki. Kjo shifër është e kontestuar, pasi që as Franca, e as Algjeria nuk ishin të interesuara që të qartësojnë gjërat. Sipas disa vlerësimeve më të kujdesshme, flitet për 40 mijë Harki të vrarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›